Pacolli zyrtares të BE-së: Liberalizoni vizat që të rinjtë e Kosovës të dalin nga izolimi

Prishtinë | 14 Sht 2017 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t`i liberalizojnë vizat, pasi sipas tij, vetëm përmes lëvizjes së lirë të mund të përmirësohet imazhi i Kosovës. Këtë ai e bëri në takimin që pati sot me Zyrtaren e Lartë të BE-së, Angelina Eichhorst.

“Përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës është i një rëndësie të veçantë, nëpërmjet të cilit do të krijoheshin mundësi të reja për të gjithë qytetarët e vendit, sidomos për të rinjtë”.

“Agjenda jonë mbetet e palëkundur drejt integrimeve evropiane. Megjithëkëtë, liberalizimi i vizave mbetet një problem real.Vetëm përmes lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës do të jetë shans të përmirësim të imazhit të vendit dhe hapjes së perspektivës dhe mundësive të reja”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.

Në vijim të këtij takimi ministri i Jashtëm, Pacolli, ka shprehur zotimin dhe përkushtimin e Institucioneve të vendit për përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve të mbetura në lidhje liberalizimin e vizave.

Në takim është diskutuar mbi zhvillimet e gjiththmbarshme politike si në nivelin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm dhe në veçanti në lidhje me raportet e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian.

Përkitazi me këtë është vlerësuar si jashtëzakonisht e rëndësishme avancimi i mëtejmë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Pacolli ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ecur drejt integrimeve euro-atlantike, duke shpresuar në vazhdimin e përkrahjes nga ana e BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme