Pallaska: Thaçi dhe Vuçiqi sikur janë (para) pajtuar për shkëmbim të territoreve

Prishtinë | 20 Gus 2018 | 08:29 | Nga

Avokati Dastid Pallaska në një intervistë për gazetën “Zëri” thotë se po krijohet përshtypja se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq vetëm se janë pajtuar për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën e Edi Ramës me liderët serbë në Beograd në vitin 2016, shkruan Gazeta “Zëri”.

Zhvillimi i fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë në këtë “stuhi” të marrëdhënieve ndërkombëtare është ndërmarrje vetëvrasëse për interesat shtetërore të Kosovës. Kështu vlerëson avokati Dastid Pallaska në një intervistë për gazetën “Zëri”. Sipas tij, trazirat e krijuara në aleancën euroatlantike së bashku me agresionin kibernetik të Rusisë kundër demokracive perëndimore paraqesin një mundësi të artë dhe të papërsëritshme për Serbinë për të rihapur dhe rivendosur në dobi të vet kauzat e humbura si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë. Prandaj, Pallaska vlerëson se Kosova nuk duhet të ngutet në dialogun me Serbinë dhe se ky proces të vazhdohet në kohën kur në arenën ndërkombëtare krijohet një klimë më e përshtatshme për Kosovën.

Ndërsa duke komentuar deklarimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiq për “kompromise të dhimbshme”, Pallaska ka thënë se me këto deklarata krijohet përshtypja se të dy presidentët vetëm se janë pajtuar për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, e vetmja fuqi botërore që ka ndarjen ose shkëmbimin e territoreve pjesë të politikës së vetë zyrtare është Rusia.

Në këtë intervistë Pallaska po ashtu ka thënë se ndarja e Kosovës për herë të parë është diskutuar në darkën që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur në vitin 2016 me liderët shtetërorë serbë në Beograd.

Të ngjashme