Paralajmëron BE: Ballkani mbetet rruga kryesore për terroristët

Prishtinë | 17 Qer 2017 | 14:36 | Nga

Raporti vjetor i Bashkimit Evropian për Situatën e Terrorizmit dhe Trendin e tij, i botuar më 15 qershor, tha se terroristët vazhdojnë të shkojnë në konfliktin në Siri nga Ballkani, që mbetet një rrugë hyrëse dhe dalëse për zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Më shumë se 800 luftëtarë të huaj terroristë kanë udhëtuar në Siri për t’iu bashkuar konfliktit të armatosur atje përmes Ballkanit Perëndimor, thotë raporti.

Ndërkohë, i ashtuquajturi Shtet Islamik ka shënjestruar rajonin me një kërcënim të ri të publikuar në qershor në revistën xhihadiste në versionin boshnjak ku shprehet se do të presë kokat e “të pafeve” dhe do të vrasë serbët, kroatët dhe tradhtarët myslimanë në Ballkan.

“Betohemi te Allahu, se nuk e kemi harruar Ballkanin”, paralajmëroi versioni boshnjak i revistës së ISIS, Rumiyah.

Raporti i 15 qershorit nga EUROPOL-i thotë se konflikti në Siri ka pasur një rezonancë të fortë në Kosovën dhe Shqipërinë me shumicë myslimane, si dhe në Bosnjë, Maqedoni dhe Serbi.

“Në disa pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ideologjia radikale islamike e promovuar nga predikuesit radikalë apo liderët e disa grupeve salafiste që sfidon dominimin tradicional të islamit të moderuar në rajon ka fituar terren të konsiderueshëm”, thuhet në të.

“Bosnja dhe Hercegovina, i ashtuquajturi rajoni i Sanxhakut [mes Serbisë dhe Malit të Zi], territoret shqipfolëse në Serbi dhe Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria janë konsideruar deri së fundmi si pikat kryesore të radikalizimit, rekrutimit dhe lehtësimit të veprimtarive të luftëtarëve të huaj terroristë drejt Sirisë”, shtoi raporti.

Ai thotë se rajoni është bërë një rrugë e rrahur e hyrjes dhe daljes nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

EUROPOL-i paralajmëron se eksperiencat e fituara në luftim te të kthyerit në Ballkanin Perëndimor mund të jenë kërcënim i madh për sigurinë e rajonit.

BIRN-i raportoi në mars 2016 se shumë shtetas nga Ballkani – përfshirë të dyshuar si luftëtarë – janë kthyer në atdhe.

Të gjitha shtetet në rajon i konsiderojnë të kthyerit si kërcënim të mundshëm të sigurisë dhe kanë ndryshuar ligjin për të lejuar ndjekjen penale të të dyshuarve që kanë luftuar ose kanë nxitur të tjerët të luftojnë ilegalisht në konflikte të huaja.

Raporti nga EUROPOL-i paralajmëron se prania e armëve pa leje, sidomos armvet të vogla dhe të lehta, si dhe minat dhe mjetet shpërthyese është një çështje tjetër shqetësuese e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Raporti megjithatë thotë se nuk ka arsye për frikë për kampe trajnimi për luftëtarët në Ballkan.

“Të dhënat e disponueshme nuk mbështesin raportet e medias për ekzistencën e të ashtuquajturave ‘kampe trajnimi’ në rajon, të ngjashme me ato që thuhet se janë të pranishme në Siri, të cilat synojnë të ofrojnë trajnime për luftë”, thotë raporti, shkruan BIRN.

Ai shton se numri i arrestimeve të bëra në të gjithë rajonin dëshmon faktin se kërcënimi kryesor i terrorit në rajon ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë, terrorizmi xhihadist, i përfaqësuar nga të rikthyerit nga zonat e konfliktit dhe individët e radikalizuar dhe të frymëzuar në atdhe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme