PDK, AAK e KTDP kërkojnë bashkë votën për Shaqir Totajn në Prizren

Prizren | 14 Nën 2017 | 21:49 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në tubimet zgjedhore të martën, ka pasur përkrah kreun e partisë, Kadri Veseli, si dhe partnerët e koalicionit nga AAK-ja, partia turke KTDP dhe ajo boshnjake Vakat.

Në tubimin e mbajtur në Shkollën e Mesme Teknike “11 Marsi” në Prizren, kreu i Partisë Demokratike, Veseli, lavdëroi kandidatin e tyre, të cilin e quajti njeri të përgatitur e me vizion.

Ai tha se Totaj është adresa e zhvillimit ekonomik të Prizrenit. “Shaqir Totaj është i përgatitur, ka vizion, e ka qëllimin e mirë, e ka dashurinë për Prizrenin, në mënyrë që Prizrenit të ecën përpara”.

Ajo çka PDK-ja dhe partnerët e saj do të përqendrohen, sipas Veselit, do të jetë fuqizimi i ndërmarrësisë, “në mënyrë që në Prizren të lulëzojnë fabrikat dhe ndërmarrjet të cilat do të krijojnë perspektivë, sidomos për të rinjtë”.

Kryetari i PDK-së paralajmëroi se për bizneset që duan të investojnë në Prizren, por edhe në vende të tjera në Kosovë, do të jepen në shfrytëzim toka dhe lehtësira të tjera. “Kosova tashmë e ka infrastrukturën pothuajse më të mirën në rajon dhe tani i nevojitet vetëm punësimi”, theksoi ai.

Shaqir Totaj mirëpriti “në ekipin fitues” partnerët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe koalicioni boshnjak Vakat. “Tani jemi edhe më të fortë, prezantojmë një vlerë të shtuar, e cila e kompleton ekipin fitues”, tha Totaj, ndërsa shprehu besimin se do të arrijnë që ta përmbyllin punën e nisur më 22 tetor, duke dalë fitues në balotazhin e 19 nëntorit.

“Përmes zbatimit të programit tonë do t’i japim një energji të re, një vizion të ri Prizrenit”, u shpreh ai.

Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, Lulzim Kabashi, në raundin e parë ishte vetë kandidat për kryetar të Prizrenit. Në raundin e dytë, ai tha se kanë vendosur pa hezitim ta mbështesin Totajn.

“AAK-ja ka vendosur pothuajse unanimisht që ta mbështesë kandidatin Shaqir Totaj për kryetar të Prizrenin, sepse besojmë se ai ka vlera dhe mundet me i shty proceset përpara”, theksoi Kabashi.

Edhe Mahir Jagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KTDP), tha se vendosën të jenë pjesë e ekipit fitues. “Besojmë që ky ekip do ta forcojë edhe më shumë Prizrenin, që Prizreni të bëhet një qytet i shquar në këtë pjesë, por edhe në rajon”.

Ai pret sidomos investime në turizëm dhe që Prizreni të bëhet një qytet edhe më i mirë për jetesë.

Në disa tubime të tjera të mbajtura gjatë ditës në Prizren, Totajn e ka mbështetur edhe deputetja Duda Balje nga koalicioni boshnjak VAKAT.

Shaqir Totaj i PDK-së në raundin e parë ka marrë 19 410 vota apo 29.66 për qind dhe do të përballet këtë të diel me kandidatin e Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, i cili rreth 5 mijë vota më pak.

Të ngjashme