PDK: Shpend Ahmeti dhe VV bëjnë politikë dhe biznes me leje ndërtimore

Prishtinë | 23 Gus 2017 | 15:19 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, përmes një konference për media ka adresuar padrejtësitë që u bëhen ndërtuesve në Prishtinë me qasje selektive dhe përzgjedhje korruptive në dhënien e lejeve ndërtimore.

Komuna e Prishtinës, sipas PDK-së, gjatë gjithë këtyre vjetëve ka bërë politikë dhe biznes me leje ndërtimore.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës, Bujar Cakolli, ka thënë se kanë dyshime të bazuara, që shumicën e pazareve me leje ndërtimi, qeverisja e Vetëvendosjes i bënë përmes disa kompanive projektuese të afërta me krerët e Komunës së Prishtinës, të cilat ua menaxhojnë pazaret sipas metodologjisë “ua bëjnë projektet ndërtuesve, ua sigurojnë lejet e ndërtimit atyre dhe u marrin banesa, lokale apo shpërblime të tjera si kompensim për këta tjerët që u qëndrojnë pas dhe që ua lejojnë ndërtimet”.

Cakolli ka thënë se për këto kompani projektuese kanë folur edhe më parë dhe do të flasin sërish, ndërsa sot ka trajtuar çështjen e lejeve ndërtimore, duke marrë si burim informacioni vetëm raportet zyrtare dhe publike të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndaj politikës së poshtër të administratës së Prishtinës në dhënien e lejeve ndërtimore në mënyrë selektive, Cakolli ka thënë se në vitin 2016 kanë reaguar 104 ndërtues, duke deponuar ankesa në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si organ shqyrtimi i shkallës së dytë, ku për 103 prej atyre rasteve janë kthyer përgjigje në favor të qytetarëve apo ndërtuesve, duke ju dhënë të drejtë atyre, kurse vetëm në 1 rast i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës.

Sipas Cakollit, kjo do të thotë që “Klani i Dostave” brenda Komunës së Prishtinës janë duke bërë kasaphane me leje ndërtimore.

“Leje ndërtimi këta japin vetëm aty ku kanë interesa politike e financiare, kurse në rastet e tjera ose nuk ua kompletojnë lëndët qëllimshëm, ose nxjerrin vendime të dëmshme, siç po vërehet edhe nga këto raporte zyrtare, ku nga 104 raste të mosdhënies së lejes, vetëm në njërin prej tyre kanë pasur të drejtë, derisa 103 qytetarëve apo ndërtuesve ua kanë mohuar qëllimshëm të drejtat e tyre”, ka thënë ai.

Në 99,99% të rasteve që janë ankuar në vitin 2016, Cakolli ka thënë se Komuna e Prishtinës ka bërë padrejtësi dhe ua ka mohuar atyre të drejtat si pronarë dhe qytetarë.

“Kjo vetëm sa e fuqizon perceptimin publik që ekziston te prishtinasit, se për të marrë leje prej tyre në Komunën e Prishtinës, ndërtuesit duhet t’ua japin ndonjë kat banese, ndonjë lokal apo edhe shpërblime të tjera të majme. Tërë fjalorin elektoral e kishin të orientuar drejt barazisë shoqërore, kurse trendi i rritjes së pabarazisë dhe padrejtësive që bëjnë ndaj gjithë atyre që nuk janë pjesë e Vetëvendosjes apo e “Klanit të Dostave” vërehet edhe në vitin 2017”, ka thënë Cakolli.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, sipas tij, qytetarët dhe ndërtuesit kanë deponuar 79 ankesa kundër Komunës së Prishtinës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku vetëm në 4 prej këtyre rasteve i është dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës, derisa për 75 prej tyre përgjigjet kanë qenë në favor të qytetarëve.

“Pra, derisa në tërë vitin 2016 kishim në 99,99 % të rasteve pabarazi dhe padrejtësi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, me një trend të madh rritjeje, deri më tash në 95% të rasteve ju është bërë padrejtësi qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndërsa, asamblistja e PDK-së, Laura Zherka, ka thënë se të gjitha këto rreth 200 raste të padrejtësive mund të ilustrohen me fakte, porse për të mos i ngarkuar qytetarët kanë përzgjedhur tri raste të ndryshme, që më së miri i shpërfaqin padrejtësitë e Komunës së Prishtinës dhe dallaveret e saj me lejet ndërtimore.

Ajo ka thënë se Rrugën B të lagjes “Bregu i Diellit”, administrata e Shpendit kundërligjshëm ka lëshuar leje ndërtimore në hapësirë gjelbëruese.

“Plani rregullues për zonën “Mati 1” është miratuar në vitin 2011 dhe kundërligjshëm është ndryshuar dhe plotësuar më pas nga ish-administrata e Prishtinës, duke e kthyer hapësirën aty nga hapësira gjelbëruese në hapësirë ndërtimore. Ky vendim i tyre, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që është mbikëqyrëse e akteve të komunave, është cilësuar i kundërligjshëm dhe në përgjigjen e saj e ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që ta anulojë dhe ta harmonizojë me Ligjin e Planifikimit Hapësinor. Në ndërkohë, ish-administrata nuk kishte marrë asnjë vendim tjetër, por as hapësira gjelbëruese atje nuk ishte prekur. Rasti ishte lënë në sirtarët e tyre i pa trajtuar. Pas marrjes së pushtetit nga partia Vetëvendosje, ky rast ishte nxjerr prej sirtarit dhe duke e harmonizuar me interesin e tyre në “Klanin e Dostave”, kundërligjshëm kishin lëshuar leje ndërtimore. Këtë veprim e kishin arsyetuar me një interpretim ligjor skandaloz të vetë Komunës së Prishtinës, përkundër që zyrat ligjore të komunave nuk janë kompetente t’i trajtojnë vendimet e ministrive, duke përmbushur kështu interesin e tyre personal dhe politik. Ndërsa, pas reagimit institucional të organeve qendrore dhe qytetarëve të asaj lagjeje, ky rast tash ka përfunduar në gjykatë si shkelje flagrante e ligjit prej tyre”, ka thënë Zherka.

Si rast të dytë, duke e ilustruar me fakte, Zherka e ka përmendur edhe një hapësirë afër objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, ku u është mohuar e drejta ligjore qytetarëve, duke mos u dhënë leje, ndonëse në kushte të barabarta leje ndërtimi u ishin dhënë gjithë të tjerëve afër saj.

“Në kuadër të Planit Rregullues “Arbëria 3” është i paraparë blloku i ndërtesave sipas këtij plani për objektet “A”, “B”, “C”, “D1”, “D2” dhe “D3”, të cilat që nga viti 2006 kanë pasur leje urbanistike dhe kishte filluar ndërtimi i tyre. Në këtë lagje ka përfunduar ndërtimi i të gjitha objekteve, me përjashtim të objektit “D1”, të cilit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe Ligjin e Planifikimit Hapësinor i është refuzuar leja e ndërtimit nga qeverisja e Shpend Ahmetit, përkundër faktit se kishte leje urbanistike prej vitit 2006. Pa kurrfarë arsyetimi dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, u është mohuar e drejta shumë qytetarëve që të jetojnë dhe të ndërtojnë në pronat e tyre aty. Organet qendrore në kuadër të kompetencave të veta e kanë shqyrtuar këtë rast dhe u kanë dhënë të drejtë këtyre qytetarëve, duke i shfuqizuar vendimet e Komunës së Prishtinës si të padrejta, por Komuna e Prishtinës prapë nuk i kishte marrë parasysh ato dhe kishte vazhduar me shkeljen e të drejtave të qytetarëve dhe pronarëve aty, vetëm se ata nuk ishin pjesë e pazareve të “Klanit të Dostave”. Edhe ky rast është dërguar nga pronarët në gjykatë për shkak të shkeljeve ligjore të Komunës së Prishtinës dhe mohimit të të drejtave të tyre”, ka thënë Zherka.

Asamblistja e PDK-së në Kuvendin e Prishtinës, i ka krahasuar edhe dy raste në lagjen “Lakrishte”, pas Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ku administrata e Prishtinës me qasje selektive dhe përzgjedhje korruptive po i mohon të drejtën një kompanie për të ndërtuar, përkundër faktit se në të gjitha nivelet i është të drejtë asaj kompanie.

Zherka ka thënë se kjo qeverisje e Prishtinës çdo ditë e shkelë ligjin, çdo ditë nuk i përfillë as planet rregulluese dhe urbanistike, por për dhënien e lejeve ndërtimore, kriterin e vetëm që kanë janë vetëm interesi i tyre personal dhe politik.

Të ngjashme