PDK: Vetëvendosje lëri përrallat, sqaro 486 kontratat për shërbime të veçanta

Prishtinë | 27 Kor 2017 | 21:55 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, Dega e Prishtinës, thotë se Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka punësuar militantë në Ndërmarrjen Publike Banesore të Prishtinës, pothuajse aq sa kishte tërësisht të punësuar para se të kapej prej bandave të tyre, duke mos guxuar të ballafaqohen në debate publike, sërish paskan reaguar me përralla të zakonshme, në përpjekje që t’i tejkalojnë faktet që dëshmojnë dallaveret e tyre.

“Në vend që të japin përgjegjësi para qytetarëve të Prishtinës për këto keqpërdorime, ashtu sikurse dikur që pas sulmeve terroriste lëshonin komunikata në emër të rugovasve, edhe tash pas shpërdorimit të vazhdueshëm të parasë publike, për vlerësime po lëshojnë komunikata dhe po thirren në emër të prishtinasve”, thuhet në një reagim të kësaj dege.

“Qytetarët e Prishtinës, fillimisht duan përgjigje për punësimin e kundërligjshëm gjatë dy vjetëve të 486 njerëzve me kontrata për shërbime të veçanta”.

“Ndërsa, pas kësaj, qytetarëve të Prishtinës do të detyroheni t’u përgjigjeni edhe për çdo kunxh e kubëz të korruptuar që e keni vendosur në Komunën e Prishtinës, duke u dhënë punime kompanive tuaja dhe të afërta me juve”, thekson Dega e PDK-së në kryeqytet.

“Qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës do të detyroheni t’u përgjigjeni edhe për shpëlarjen e parave të krimit dhe korrupsionit përmes aktivistëve tuaj dhe fushatave mediale sa për sy e faqe, ku kërkonit mjete financiare prej qytetarëve”.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se, bashkë me qytetarët e Prishtinës, nuk do të ndalet deri sa t’i demaskojë të gjitha skemat korruptive të qeverisjes së VV-së.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/vv-shpifjet-e-pdk-se-jane-produkt-frikes-nga-humbja-e-pushtetit/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme