Për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia pret favore financiare

Prishtinë | 10 Gus 2017 | 12:56 | Nga

Normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën në tri faza, krahas pranimit të Kosovës në të gjitha organizata ndërkombëtare pos në Kombet e Bashkuara dhe pa njohje nga Serbia e me kompensim konkret financiar.

Kjo shkurtimisht, është përmbajtja e platformës për Kosovën të cilën nënkryetari i Qeverisë serbe Rasim Lajiq do t’ia paraqesë kryetarit serb Aleksandar Vuçiq i cili ka paralajmëruar dialog të brendshëm për Kosovën, transmeton Koha.net.

Lajiq mendon se “konflikti i ngrirë” nuk i përgjigjet Serbisë . Qëllimi, sipas ti, është normalizimi i marrëdhënieve pa njohje të Kosovës.

“Serbia nuk mund të ketë ndikim politik në Kosovë, por ndikim ekonomik mund të ketë shumë, prandaj, në fazën e parë duhet të përfshihen bisedimet për bashkëpunim të plotë ekonomik me Kosovën i cili nga 400 milionë euro sa është tani, do të dyfishohej”, citon “blic“ pjesë të kësaj platforme.

Faza e dytë, sipas kësaj platforme, do të ishte hapja e çështjes së statusit të serbëve në Kosovë. Kjo fazë parasheh krijimin Asociacionit të Komunave serbe, e cila në platformë parashihet si formë e vetadministrimit të serbëve në Kosovë, ndërsa do të bisedohej edhe për çështjen e pasurisë dhe të trashëgimisë kulturore të Serbisë në Kosovë.

Në fazën e tretë do të ishin bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizata ndërkombëtare pos në Kombet e Bashkuara.

Si kompensim për të gjitha këto, Serbia do të kërkonte përkrahje financiare për zhvillimin e infrastrukturës, përshpejtim e rrugës europiane të Serbisë dhe krejtësisht në fund, do të bisedohej për statusin final të Kosovës.

Të ngjashme