Policia konfirmon arrestimin e Milaim Zekës për “mashtrim”

Prishtinë | 16 Tet 2017 | 16:15 | Nga

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka.

“Mund të ju konfirmojmë se sot Policia e Kosovës ka intervistuar personin me inicialet M. Z., lidhur me veprën penale që ndërlidhet me “mashtrim” dhe shmangie nga tatimi”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Indeksonline zyrtarët policor.

PK thotë se të gjitha veprimet e mëtejme do t’i ndërmarrë në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente.

Arrestimi i Zekës ka ndodhur për dyshimet se Zeka ka qenë i përfshirë në një skemë mashtrimi me viza pune në Gjermani për 920 kosovarë.

Arrestimi i ish-gazetarit është bërë nga Njësiti i krimeve ekonomike i Policisë së Kosovës, të hënën, gjatë mesditës, raporton Gazeta Express.

Portali “Insajderi” së fundi ka shkruar për një skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen, Ilir Krasniqi.

Sipas hulumtimit, 920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi, e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi.

Aplikantët thuhej se kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit dyshohet se aplikantët janë gjendur brenda një skeme mashtrimi, të cilën Prokuroria ka nisur hetimet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Partneri i Zekës, Ilir Krasniqi, tashmë ndodhet në paraburgim, pasi për të njëjtën skemë ishte arrestuar para disa javësh.

Vetë Zeka në prononcim për medie është arsyetuar se kompania e Krasniqit vetëm i ka shfrytëzuar me qira zyrat e portalit të tij “Pa Rrotlla”.

Të ngjashme