Policia po heton katër persona, procesin e votimit e vlerëson të qetë

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 11:09 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, ka thënë se deri para mesditës procesi zgjedhor ka ecur pa probleme të mëdha, duke nënvizuar se dy persona janë ndaluar, nën dyshimin se kanë kërcënuar një të tretë, raporton Ekonomia Online.

“Deri më tani nuk kemi asnjë rast penal, por vetëm informacione që janë në proces të verifikimit. Një rast i tillë ka ndodhur në Shtërpcë, për të cilin jemi duke kryer të gjitha procedurat për verifikim. Prokurori i Shtetit dhe Policia e Shtetit kanë marrë të gjitha veprimet për hetim të ngjarjeve që kanë ndodhur edhe në ditët e shkuara. Po ashtu jemi duke hetuar dy persona, me dyshimin e bazuar se kanë kërcënuar një të tretë, përgjatë procesit”, tha Pula.

Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë në krye të detyrës, që nga orët e hershme të mëngjesit, për të garantuar ambient për votim dhe për ruajtje të integritetit të votimit.

“Policia e Kosovës është në krye të detyrës që nga orët e hershme të mëngjesit. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë, për të mbuluar të gjitha qendrat e votimit. Deri në këto momente jemi duke i trajtuar katër informacione, që kanë arritur nga qendra të ndryshme të votimeve, të cilat po trajtohen ngushtë me prokurorinë. Vlerësojmë se është duke u zhvilluar një aktivitet i qetë zgjedhor”, ka thënë ai.

Të ngjashme