Politika gërryen ndërmarrjet publike

Prishtinë | 25 Shk 2018 | 08:25 | Nga

Nga 17 ndërmarrje publike qendrore, 12 prej tyre e kanë mbyllur vitin 2016 me humbje. Sipas raporteve të brendshme për performancën e ndërmarrjeve publike dhe raporteve të auditimit, teposhtën këto ndërmarrje e kanë marrë nga shpallja e Pavarësisë e këndej, përkatësisht me kalimin e menaxhimit të tyre nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit te Qeveria e Kosovës.

Nga ndërmarrje fitimprurëse që dikur mbushnin arkën e buxhetit të shtetit, ato janë shndërruar në “çerdhe” për punësime të militantëve partiakë, për përfitime të individëve dhe grupeve të caktuara të interesit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo është dëshmuar edhe në marrëveshjet e përhershme të partive politike për koalicion qeverisës, ku, përveç ndarjes së posteve të ministrave e zëvendësministrave, vendoset edhe për ndarjen e posteve në ndërmarrjet publike.

Emërimet politike në bordet drejtuese, punësimet pa kritere, keqmenaxhimi, rritja e shpenzimeve operative gjatë një dekade të tërë, mospërshtatja me trendët globalë të zhvillimeve edhe mungesa e investimeve të duhura ka ndikuar që ndërmarrjet të përballen me gjendje të rëndë financiare.

Kundër politizimit e nepotizmit, përveç shoqërisë civile, janë deklaruar edhe institucionet ndërkombëtare, të cila u kanë bërë thirrje institucioneve që të mos fusin duart në ndërmarrjet publike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme