Presidenca sqaron çfarë shërbimesh do të ofrojë “Ballard Partners”

Prishtinë | 12 Jan 2018 | 16:34 | Nga

Kompania e cila po konsiderohet me ndikim te presidenti i SHBA-së, Donalt Trump, e angazhuar nga Zyra e presidentit të Kosovës do të ofrojë shërbime të shumta në mbështetje të Kosovës.

Sipas Zyrës për Informim të Presidentit të Kosovës, kompania amerikane “Ballard Partners” me bazë në Florida, me përvojën dhe kontaktet që ka, do të mbështes iniciativat e institucioneve të Kosovës për ballafaqimin më të kaluarën, duke ndihmuar në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit.

“Kompania “Ballard Partners” po ashtu do të ndihmojë në modernizimin dhe në transformimin e FSK-së, në një forcë multietnike si dhe në implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit”, thuhet në përgjigje të Presidencës.

Sipas kësaj zyre, kompania amerikane do ndihmojë Kosovën në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka sqaruar edhe formën e lidhjes së kontratës me kompaninë amerikane. Sipas tyre, procedurat kanë filluar pas kërkesës që Presidenca i ka bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës.

“Pas miratimit të buxhetit nga komisioni dhe më vonë nga Parlamenti i Kosovës, përmes ligjit të buxhetit, Presidenca ka zhvilluar procedurat në harmoni me ligjin”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Kompani të tilla kanë të gjitha Qeveritë e shteteve të rajonit. Më herët ishte raportuar se Serbia ka angazhuar një kompani lobingu në Uashington dhe Berlin.

Portali “Insajderi” ka shkruar sot se mbi gjysmë milionë euro të buxhetit të Kosovës planifikohet të shpenzohen për imazhin e presidentit Hashim Thaçi. Presidenca ka përzgjedhur një kompani lobuese të udhëhequr nga Brian Ballard, i cili shquhet si një prej njerëzve më të afërt të presidentit amerikan, Donald Trump

Sipas një njoftimi të Zyrës së Presidentit në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) mësohet se më 22 dhjetor, mbi gjysmë milionë euro të taksave të qytetarëve janë bërë gati për tu shpenzuar për ta përmirësuar imazhin e presidentit Thaçi, i cili dyshohet se do të jetë i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, shkruan kjo medie online.

Presidenca kishte shpallur fitues me 22 dhjetor kompaninë “Ballard Partners”, të udhëhequr nga Brian Ballard, një lobues i afërt me presidentin amerikan Donald Trump. Sipas njoftimit të Presidencës, kontrata mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard peshon 517 mijë e 198 euro.

Kompania obligohet që të ofrojë shërbime të konsulencës për Zyrën e Presidentit të Kosovës. Njoftimi për Dhënie të Kontratës tregon se kontrata mes palëve parashihet të nënshkruhet më 15 janar. Po ashtu, ky dokument tregon se kjo kompani është shpallur fituese e tenderit më 22 dhjetor të vitit 2017.

Dokumenti tregon që nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e lobistëve. Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.

Kompania ka bazën në Florina dhe presidenti i saj është një prej njerëzve më të afërt të presidentit Donald Trump. Brian Ballard është një prej mbledhëseve kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump. Pas fitores së Trump, kompania ka hapur zyre edhe në Washington dhe ka shënuar suksese në nënshkrimin e kontratave të lobimit me subjekte që dëshirojnë të afrohen me administratën e Trump.

Po ashtu, Ballard njihet si njeriu që ka mbledhur më së shumti para për të organizuar ceremoninë inauguruese të presidentit Donald Trump, shkruan Insajderi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme