Presidenti dhe kryeministri mbështesin demarkacionin

Prishtinë | 03 Gus 2016 | 12:04 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u bëri thirrje sot pjesëmarrësve në tryezën shkencore-profesionale që të bëjnë “debat të hapur dhe profesional dhe të shpalosin argumentet. Ai tha se shenjimi i vijës kufitare me Malin e Zi ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, sipas tij, nuk ka humbur asnjë pjesë të territorit të saj”.

Debati i thirrur nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të 24 deputetëve nga radhët e LDK-së, LVV-së dhe PDK-së, do të përballë gjatë ditës së mërkurë komisionin shtetëror për demarkacion me Malin e Zi dhe ekspertët e fushës, si dhe deputetët e Kuvendit.

Presidenti Thaçi i dha një mbështetje të fuqishme komisionit shtetëror, duke e cilësuar punën e tij “të drejtë” që ka nxjerrë një “marrëveshje me Malin e Zi e cila është përkrahur nga të gjithë mbështetësit e Kosovës”.

“Shënjimi i vijës kufitare ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian. Ju ftoj për një debat sa më të hapur dhe sa më profesional, ku do të shpalosen vetëm argumentet. Ftoj që të keni parasysh se sot nuk është në pyetje vetëm marrëveshja, por edhe aftësia shtetërore e Kosovës. Aftësia për të arritur marrëveshje ndërkombëtare, për të funksionuar si shtet dhe si anëtar i barabartë”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të vet.”

“Institucionet dhe komisioni kanë bërë demarkacion e nuk kanë bërë histori”, ka thënë presidenti Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë pothuaj të njëjtin vlerësim me Presidentin, duke thënë se “Kosova nuk ka humbur terroritor me marrëveshjen e arritur më Malin e Zi.

Ai tha se puna që ka bërë komisioni shtetëror për demarkacion është e drejt dhe caktimi i kufijve është bërë në mënyrë të saktë.

“Nëse themi se kemi humbur tokë. Ejani sot ta argumentojmë. Unë mendoj se përfundimi i këtij takimi meriton të jetë pranim i fakteve se nuk guxojmë të luajmë me fatin e Kosovës dhe të qytetareve të saj për interesa politike as të pozitës e as të opozitës. Ne duhet të punojmë bashkërisht për interesa reale të çdo njeriu në Kosovë”, tha Mustafa.

Debati për demarkacionin që po zhvillohet në një sallë alternative të Kuvendit, nisi me fjalën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili theksoi se debati për demarkacionin i ka munguar vendit për një kohë të gjatë.

“Duhet të punojmë për interesat e qytetareve dhe për dinjitetin e tyre. Kjo është një mundësi e mirë që ballafaqohen argumentet për kufirin. Është e rëndësishme që të përçohen mesazhe të mira që Kosova të këtë raporte të mira më shtete fqinjët”, tha Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme