Presidenti Thaçi merr mirënjohje nga përfaqësuesit e komunitetit egjiptian në Kosovë

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 13:03 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për nder të “Javës Egjiptiane” dhe 24 Qershorit, Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë, ka pritur një delegacion të këtij komuniteti, të udhëhequr nga Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane.

Pjesë e delegacionit të komunitetit egjiptian ishin edhe Dr. Zahi Hawass, ish-ministër dhe arkeolog nga Egjipti, si dhe Noureldin Eltamimy, përgjegjës për dosjen e egjiptianëve.

Presidenti Thaçi theksoi se komunitetet e Kosovës janë vlerë për Kosovën dhe përsëriti përkushtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës për të akomoduar të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ndërsa, anëtarët e këtij delegacioni nga Egjipti, presidenti Thaçi i falënderoi për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e shtetit tonë.

“Egjipti është shtet mik i yni dhe jemi mirënjohës për përkrahjen që na keni dhënë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke falënderuar presidentin Thaçi për përkrahjen për komunitetin egjiptian në Kosovë, deputeti Berisha i dhuroi në emër të komunitetit edhe një mirënjohje për kontributin e tij.

“Të falënderoj për çdo gjë që ke bërë për komunitetin tonë”, u shpreh deputeti Berisha.

Pjesë e delegacionit ishin edhe aktivistja Mirlinda Hoti, Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Isa Osmani, Zëvendësministri i MAPL-së, Bashkim Krasniqi, Zëvendësministri i MAShT-it, Artan Berisha dhe Shemsi Kopliku, aktivist nga diaspora.

Të ngjashme