Presidenti Thaçi për World Street Journal: Kosova është mrekullia e vogël e Evropës

Prishtinë | 16 Shk 2018 | 18:21 | Nga

Në një shkrim autorial për gazetën prestigjioze amerikane, “The Wall Street Journal”, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se pas një dekade si republikë e pavarur, Kosova ka mjaft arsye për të festuar.

Por, siç thotë ai, ndërsa ne i vlerësojmë arritjet dhe sfidat me të cilat përballet shteti ynë, duhet të kujtojmë pikën fillestare të zymtë dhe rrugën pasuese që Kosova ka marrë për të arritur shtetësinë.

“Kam qenë ende student kur diktatori Sllobodan Millosheviq nisi një sërë luftërash në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ai ngulmonte që ta krijonte atë që ai e ka quajtur “Serbi e Madhe” dhe imponoi me forcë regjimin e aparteidit ndaj shqiptarëve të Kosovë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje që të përgjigjen përmes rezistencës paqësore gjatë fillimit të viteve 1990, por racionaliteti nuk mbizotëroi. Ai tha se kjo ishte arsyeja pse duhej të fillonim të luftonim për lirinë tonë dhe të shpresonim që ata që besonin në vlerat perëndimore do të na ndihmonin.

“Pushkat tona të gjuetisë as që mund t’i bënin ballë ushtrisë dhe policisë serbe. Shpirti ynë dhe vlerat tona ishin të forta, por kjo kishte pak rëndësi pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Kosova u shpëtua nga ata që ndjenin përgjegjësinë për të mbrojtur civilët nga një gjenocid tjetër ballkanik”, ka shkruar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka shtuar se që nga momenti që Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) çliroi Kosovën më 1999, ishte e qartë se një shtet i ri do të lindte. Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në Evropë më 17 shkurt 2008.

Presidenti Thaçi ka shkruar se ata që e lexojnë deklaratën tonë të pavarësisë e kuptojnë se asgjë në përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit nuk ishte e njëanshme. Negociatat e udhëhequra nga laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ishin të thella dhe shteruese. NATO, Bashkimi Evropian dhe aleatë të tjerë punuan së bashku për të siguruar paqen dhe stabilitetin pas pavarësisë. Puna e tyre ishte jetike për të siguruar një tranzicion të qetë.

Ai ka theksuar se Kosova ka pasur kundërshtarët e saj që nga ditët e para.

“E majta ekstreme konsideron Kosovën një kukull të imperializmit amerikan dhe britanik, ndërsa e djathta ekstreme nuk e çmon diversitetin tonë fetar dhe etnik. Këto ekstreme janë imponuar në peisazhin politik dhe mediatik trans-atlantik – dhe, fatkeqësisht, u ndihmuan nga makineria propagandistike e Rusisë – dhe trysnia ndaj Kosovës nuk është zbutur”, ka shkruar ai.

Megjithatë, shkruan presidenti Thaçi, Kosova është shteti me rritjen më të shpejtë ekonomike mesatare në Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit.

“Ne ishim të parët në rajon që zgjodhëm një presidente grua. Sportistët tanë, producentët e filmit, muzikantët dhe personalitetet kulturore nga vendi ynë kanë fituar vëmendje ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Tutje, presidenti Thaçi shkroi se sfidat mbeten. Ai theksoi se ka udhëhequr dialogun me Serbinë që prodhoi Marrëveshjen historike të Brukselit më 2013, e cila hapi një epokë të rë për paqen dhe bashkëpunimin mes dy shteteve, pas një shekulli të armiqësive. Gjithashtu, ai është shprehur se mbetet i angazhuar për të punuar drejt një marrëveshjeje të re përfundimtare që do të shënojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkimi Evropian është ngatërruar disi. Në strategjinë për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor që ka aprovuar së fundi, Kosova fare pak përmendet, e supozohet se kjo vjen si rezultat i shqetësimeve të Spanjës rreth separatizmit. Sidoqoftë, miqtë tanë në Madrid e dinë se Spanja nuk kishte një Sllobodan Millosheviq, dhe Kosova nuk është Kataloni. BE-ja, me pohimet e saj për zonat e përbashkëta tregtare dhe çështjet e tjera teknike, po ia huq thelbit. Sigurisht se ne duhet t’i përmbushim kushtet e BE-së për mjedisin, ekonominë dhe sundimin e së drejtës. Por, ne vërtetë jemi në rrugën e duhur”, ka shkruar presidenti Thaçi në editorialin e tij për gazetën amerikane “The Wall Street Journal”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme