Pritet heqja e “vijave të kuqe” edhe për Demarkacionin e Asociacionin

Prishtinë | 21 Maj 2017 | 10:08 | Nga

Vijat e kuqe pritet të hiqen, sikurse për koalicione, edhe kur të vije çështja e ratifikimit të Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kështu paralajmërojnë njohësit e rrethanave politike në vend, derisa shtojnë se është kërkesë urgjente e bashkësisë ndëkrombëtare. Sipas tyre Dermarkacioni mund të rishikohet në mënyrë kozmetike derisa për Asociacionin besojnë se do të jetë çështje më lehtë e kalueshme.

Sfida më e rëndë e koalicionit të ardhshëm qeveritar do të jetë sërish Demarkacioni, vlerëson Bekim Kabashi nga gazeta online GazetaMetro, duke shtuar se kjo marrëveshje tashmë e nënshkruar me Malin e Zi, nëse Qeverinë e merr PDK-AAK-NISMA, do të duhet rishikuar edhe një herë.

“Të paktën në formë kozmetike, që kryeministri eventual, Ramush Haradinaj, të arsyetohet se tani është pro, pasi ajo më nuk është vija kufitare e percaktuar nga Murat Meha. Kësaj duhet shtuar edhe problemin tjeter, se pas 11 qershorit më nuk pritet të kemi koalicion të gjerë, e për kalimin e demarkacionit në Kuvend, duhen 2/3 e votave të deputetëve, ose me numra 81 vota.”

Themelimi i Asociacionit sipas tij, do të jetë më lehtë i kalueshëm, sepse pavarësisht kundërshtimeve të AAK e NISMA, në të vërtetë ka qenë kauzë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjithashtu, Asociacioni është nënshkuar nga Qeveria Mustafa, e rrjedhimisht për kalimin e saj në Kuvend do të mund t’i ketë edhe votat e deputetëve të LDK-së, nëse jo të të gjitheve, të shumicës prej tyre,” shprehet Kabashi për arbresh.info.

Sipas Agron Halitaj, drejtor i gazetës online AktivPress, Demarkacioni dhe Asociacioni janë dy obligime që duhen përmbushur nga cilado forcë politike që vije në pushtet.

“Këto kushte janë vënë nga faktorët e jashtëm dhe si të tilla nuk mund të anashkalohen. Ashtu siç janë hequr “vijat e kuqe” për koalicion me PDK-në, një ditë do të hiqen edhe vijat e kuqe për demarkacionin dhe asociacionin,” deklaron Halitaj për arbresh.info.

Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është projekt, miratimi i të cilit do të kërkohet me ngulm nga Bashkimi Evropian, vlerëson Parim Olluri, drejtor ekzekutiv në gazetën Online Insajderi, duke shtuar se ngjashëm është edhe situate me Demarkacioni me Malin e Zi.

“Koaliconi i përbërë nga PDK-AAK-NISMA nuk besoj se do të jetë rezistent, ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Ngjashëm siç vepruan Nisma dhe AAK kur lidhen koalicion parazgjedhor duke deklaruar se po e lidhin një koalicion të imponuar për interes të qytetarëve të Kosovës, do të veprojnë edhe kur të vjen koha e miratimit të demarkacionit.”

Sipas tij problem i tyre do të jetë gjetja e modaliteteve të shtyrjes përpara të demarkacionit, dhe jo refuzimi për ta miratuar.

“Një prej tyre mund të jetë miratimi i demarkacionit me marrëveshjen për ta dërguar rastin në Arbitrazh ndërkombtarë,” shprehet Olluri për arbresh.info.

Demarkacioni dhe Asociacioni mbeten dy çështje urgjente, për të cilat krerët e shtetit u patën zotuar se do të jetë një ndër çështjet e para që do të inicohet pas zgjedhjeve të parakohshme nacionale të 11 qershorit, kërkesë kjo e vazhdueshme edhe e bashkësisë ndërkombëtare.

Të ngjashme