Pritet të ndryshohet Marrëveshja me Luksemburgun, komisioni shtyn miratimin e saj në Kuvend

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 13:06 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, teksa ka raportuar në lidhje me Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Zhvillimor “Asistencë Teknike në Kontekst të Integrimit Evropian”, shtoi se ky projekt planifikohet të implementohet brenda katër vjetëve.

Komisioni ka vendosur që të shtyjë miratimin e kësaj Marrëveshjeje në Kuvend, derisa të ketë një përgjigje për kërkesën e MIE-së drejtuar Luksemburgut për ndryshimin dhe plotësimin e saj.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes, Hoxha ka sqaruar se shuma e ndarë nga Luksemburgu është 2.1 milionë euro dhe ministria e Integrimit do të ndajë 100 mijë euro. Hoxha ka njoftuar se zbatimi i këtij projekti planifikohet të nis pas muajit shtator, pasi që Kuvendi të ketë miratuar marrëveshjen.

Ajo tutje bëri të ditur se me këtë marrëveshje synohet të ndihmohet në zbatimin sa më efikas të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Sipas saj, lëvizja e lirë e mallrave, pronësia intelektuale, gjyqësori, drejtësia, liria, sigurime dhe reforma në administratën publike janë disa nga fushat e identifikuara për asistencë.

“Projekti planifikohet të realizohet për katër vite. Shuma është 2.1 milionë euro nga Luksemburgu dhe bashkëfinancim nga MIE është 100 mijë euro. Zbatimi i projektit planifikohet të nis pas shtatorit me kusht që ligji të kalojë në Kuvend”.

Dhurata Hoxha ka bërë të ditur se i ka dërguar letër Luksemburgut për t’i kërkuar që të ndryshohet kjo marrëveshje dhe të plotësohet me vërejtjet dhe rekomandimet e deputetëve, të cilat i ka quajtur të qëlluara. Sipas saj, kjo kërkesë është bërë që Kosova të jetë me shumë pronare dhe të përfitojë më shumë rinia. Ajo ka kërkuar qe të shtyhet afati i miratimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend derisa kjo marrëveshje të ndryshohet.

“E ka shkruar një letër, kam kërkuar qe të ndryshohet projekti sipas rekomandimeve tuaja qe të shohim më shumë pronësi nga Kosova dhe përfitimet të jenë më shumë për të rinjtë. Të kemi një hapësirë kohore që të kemi mundësi plotësim ndryshimin. Rekomandimet tuaja do t’i marrim parasysh. Edhe komisioni për MSA nuk përkrahet, 2 milionë nuk janë pak, por të përkrahet parlamenti dhe komisioni për integrime evropiane sepse është institucion i rëndësishëm. Do të ju informojmë, shpresoj që të kemi përgjigje, s’ka arsye që kërkesa të mos miratohet”.

“Projekti do të ndikojë edhe në forcim të kapaciteteve të ministrisë për absorbim të fondeve. Me letrën që kemi dërguar kemi kërkuar sqarim për përkrahje shtesë që mund të kërkohet kohë pas kohe”.

Kryetarja e komisionit, Blerta Deliu – Kodra, ka kërkuar që të këtë përkrahje edhe për komisionet parlamentare.

“Marrëveshja është paraparë që të këtë përkrahje për shërbyës civile por mendoj që t eketë përkrahje në aspektin e komisioneve parlamentare. Implementimi i MSA-së është 30 për qind dhe nuk është shifër inkurajuese”.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se marrëveshja është e favorshme për Kosovën por duhet të rinegociohet sa i përket pjesës teknike dhe politike.

“Implementimi të jetë i suksesshëm. Ne jemi vetëm palë në procedurë por s’mund të ndërhyjmë për atë që duam. Nga ajo që shihet është opinioni që pjesa politike është e anashkaluar. Marrëveshja është e favorshme për Kosovën por sa do të ketë impakt që pjesa teknike dhe politike mendoj se janë të pakta nëse jam i saktë në qëllimin. Nuk po dua të jem shumë skeptik. Mendoj që duhet të këtë një rinegocim të këto dy pjesë nëse është e nevojshme edhe pse e di sa mund të ndërhyni ti shtyni këto dispozita. Nuk e shoh efektin e qind për qind në qëllimin e marrëveshje”.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë miliona eurot nuk duhet të shkojnë në trajnime sepse sipas saj Kosova e ka kaluar këtë fazë. Ajo kërkoi që kërkesat të përcaktohen më konkretisht, në mënyrë që të përfitojnë më shumë bujqit dhe kategoritë tjera.

“Kur negociojmë këso marrëveshje me qenë më konkret në kërkesa. Nëse që nga pas lufta s’kemi mbërritur me i kry këto, jemi shumë vonë. Ta emërojmë problemin. Me MSA-në do të ishte më adekuate nëse do të kishim propozime konkrete, mos me pas monopol te aviokompanitë sepse autoriteti i konkurrencës nuk vepron. Duhet këtë më shumë specifika për nevojat e bujqve tonë”.

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka kritikuar marrëveshjen kur foli për çështjen e trajnimeve sepse, sipas tij, ka pasur keqpërdorime në të kaluarën.

“Para diplomatëve kam thanë qe në Evropë ekziston racizëm i heshtur i mbështjellur me islamofobi. Ata s’guxojnë me thënë për shkak të opinionit të brendshëm dhe mediave. Dështimi i ligjit, krimi brenda policisë është i dirigjuar nga njerëz të BE-së në Kosovë. Është mirë ministre ti me ngrit zërin, me thënë që mund ta implementojmë pa ekspertë ndërkombëtarë, sepse paratë e BE-së po kthehen atje”.

Zenun Pajaziti nga PDK ka deklaruar se është më shumë i nevojshëm krijimi i një mekanizmi për trajnimin e punonjësve të administratës.

“Po na mungon një mekanizëm i qëndrueshëm që kish me i trajnu njerëzit e administratës. Me një 2 milionë e 200 mijë, e ki një shans me ministrin e administratës me ngrit këtë institucion. Do ta votojmë këtë shumica e deputetëve”.

Edhe Fatmire Kollcaku nga Vetëvendosje pati kritika për cështjen e financimit për trajnime. Ajo kërkoi nga ministrja Hoxha që t’i informojë deputetët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

“Është një temë mjaft e rëndëishme. Si Kosovë është dashur që të na pyesin se për çka kemi nevojë. 20 vite janë trajnuar njerëz dhe janë derdhur fonde. Ministritë janë mbushur me kuadro me ‘background’ politik e jo që kanë ardhur nga dija e tyre. Pozita e opozita janë të intersuar që të ndodh liberalizimi. Nese ka mubdësi të na indormoni se cka ka ndodh në takomin e fundit që keni qenë ju dhe a ka lëvizje pozitive”.

Në mbledhjen e sotme, komisioni ka miratuar Projekt-Rregulloren e Kuvendit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Të ngjashme