Projektligji për Dhomën e Posaçme në Kryesi pa përkrahjen e Komisionit

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 14:42 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar në parim Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për të cilin edhe pse 5 deputetë votuan kundër, 4 pro dhe pati 1 abstenim, u vendos që të shkojë në seancë për lexim të parë.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se projektligji duhet të analizohet me kujdes, ndërkaq, sipas saj, nuk është e qartë cili do të jetë roli i EULEX-it brenda Gjykatës Supreme, raporton Ekonomia Online.

“Për mua ende nuk është e qartë se cili do të jetë roli i EULEX-it brenda Gjykatës Supreme. Kemi mbështetjen e Këshillit të Evropës për zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Mirëpo ne ende nuk e kemi parë atë letër edhe është goxha problematike”.

Hajdar Beqa nga PDK-ja tha se krijimi i dhomave të posaçme do t’i mbrojë palët.

“Unë konsideroj se me projektligjin për dhomën e posaçme ne i mbrojmë palët. Privatizimi ashtu kështu po ndodh dhe ne e dimë që ka shumë lëndë dhe kjo është në interes të palëve që ato të kryhen. Unë propozoj që këtë ligj ta votojmë sot në parim, sepse ky ligj është në interes të palëve”, tha ai duke shtuar që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji mund të bëhet brenda muajit korrik.

Frashër Krasniqi nga PSD-ja tha se kjo iniciativë ka për qëllim vazhdimin e keqpërdorimeve me AKP-në.

“Para se ta votojmë këtë ligj duhet me pasë parasysh se privatizimi ka qenë gjëja më e dëmshme për ekonominë e Kosovës. Kjo nënkupton që dhoma e posaçme është një nga institucionet me të rëndësishme. Problemi me krijimin e kësaj dhome është se nuk e di pse po krijojmë mekanizma dhe ligje afatshkurta. Gjykatësit të cilët do t’i trajtojnë lëndët në shkallën e parë janë të njëjtit që do ta trajtojnë apelin. E di që ka pretendime që kjo po bëhet për shkak të efikasitetit por kjo mund të bëhet për rastet më të vogla.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të votojë kundër këtij ligji për shkak se, sipas tij, ky ligj mbron krimin e privatizimit.

“Unë kam bërë përpjekje me shiku kontekstin e ligjit, dhoma e posaçme ekziston që sa vite dhe ky është ndryshimi i shtatë i këtij projektligji. Privatizimi është bërë në mënyrë kriminale sepse e dimë që asnjë ndërmarrje që është bërë në Kosovë nuk ka dhënë rezultate pozitive dhe janë shkelur të dobëtit, punëtorët. Ky është ligj qe e mbulon krimin në Kosovë”, tha ai.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se privatizimi në Kosovë është bërë me ligj të keq, raporton EO.

“Privatizimi është bërë me vendime të këqija, ka pasur vendime kriminale të bazuara në ligj, ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ajo që mund të themi nga retrospektiva i bjen që ky proces ka ndikuar në ngecjen e zhvillimit të vendit”, tha ai duke kërkuar që ky ligj të kalojë në seancë.

Korab Sejdiu tha se ky ligj i trajton privatizimin dhe duhet të merret me seriozitet maksimal.

“Ne në procedurë e kemi edhe projektligjin për gjykatat dhe ne duhet ta harmonizojmë dhe pastaj të merremi me përmbajtje. Ky ligj duhet me kalu në parim ta shikojmë mundësinë nëse këto propozime t’i fusim në projektligj”.

Të ngjashme