Propozohen ndryshime kushtetuese dhe kod etik partiak për dekriminalizim të politikës

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se dekriminalizimi i skenës politike në vend mund të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe një kodi etik partiak.

Në Express Intervistën në KTV, Miftaraj ka thënë se aktualisht me kushtetutë ndalohet ushtrimi i një funksioni zyrtar si ministër apo deputet vetëm nëse ka vendim gjyqësor se personi ka shkelur ligjin.

Sipas tij, edhe një kod i ri etik në të gjitha partitë do të ndikonte në pastrimin e gjithë skenës politike, nga njerëzit që kanë probleme me ligjin.

“Kemi dy rekomandime. Ndryshime kushtetuese ku përpos vendimit gjyqësor të ketë edhe me ligj që u ndalohet njerëzve që kanë probleme me ligjin nuk u lejohet të ushtrojnë poste publike. Nëse do të kishte vendim politik të të gjitha partive do të ishte një kod i etikës nga vetë partitë që thotë se partitë në Kosovë, siç ndodh në të gjitha vendet, nuk iu japin të drejtën personave të caktuar të jenë pjesë e partive nëse janë të papërshtatshëm apo kanë probleme me ligjin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se partitë me këtë kod do të bënin presion që njerëzit që kanë probleme me ligjin të dorëhiqeshin apo të shkarkoheshin.

Miftaraj ka thënë se në Kosovë drejtësia është e nënshtruar nga politika. Ai ka thënë se ka ministra që në mëngjes janë në gjykatë si të akuzuar, e më pas pasdite nënshkruajnë marrëveshje milionëshe dhe me ndikim për vendin. Këtu ka përfshirë Valdrin Llukën, ministër të Zhvillimit Ekonomik, për kontratën për termocentralin e ri, në vlerë 1.3 miliard euro.

Ai ka kritikuar sistemin gjyqësor për tejzgjatje të proceseve në rastet ndaj politikanëve. Ka thënë se është bërë praktikë që të ketë zgjatje të qëllimshme dhe ngrihen akuza në mënyrë joprofesionale, me qëllimin që më pas të hedhen nga gjykata.

“Pastrimi më i mirë i figurave të korruptuara politike bëhet në këtë formë duke u kthyer më pas si heronj”, ka shtuar ai.

Si shkelja nga politika ka përmendur edhe favorizimin e sponsorizuesve të fushatës zgjedhore, përmes tenderëve të caktuar.

Nga 21 ministra sa ka Qeveria Haradinaj, 7 janë me aktakuzë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme