Qela: Zgjedhjet nuk zgjidhin asnjërin prej problemeve të mëdha në vend

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 10:28 | Nga

Situata politike në Kosovë është mjaft e rëndë por zgjedhjet nuk zgjidhin asnjërin prej problemeve të mëdha në vend.

Kështu deklaroi deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela.

Qela në një prononcim për Telegrafin tha se ngecja në zhvillimin ekonomik të vendit, mungesa e shumëpritur e vendeve të reja të punës, si dhe problemet me sovranitetin janë problemet kyçe të këtij vendi.

“Sistemi i arsimit i degraduar për kohë të gjatë, sistemi problematik i shëndetësisë, tek i cili qytetarët e kanë humbur besimin, si dhe sistemi dëshpërues i kujdesit social e rëndojnë edhe më shumë situatën politike në vend.”, – ka thënë ai.

“Mungesa e krijimit të perspektivës për një jetë më të mirë, pritjet e mëdha, mundësitë e vogla dhe perceptimi i krijuar për shpërdorime të shumta të pozitës zyrtare të bartësve të institucioneve, si korrupsioni, nepotizmi e papërgjegjësia institucionale, të cilat janë kancer që e gërryen nga brenda shoqërinë dhe ia mbyt shpresat për një jetë më të mirë janë disa prej faktorëve kryesorë të rritjes së pakënaqësisë qytetare. Problemet e shumta të kësaj shoqërie janë përcjellë edhe me pakënaqësi qytetare, të shprehura shpeshherë edhe në forma të dhunshme”, u shpreh Qela.

Ai tha se është koha që këto probleme të adresohen dhe të fillojnë të zgjidhen”.

Sipas tij, sado të vogla të jenë sukseset e kësaj qeverie, vlejnë të përmenden dy prej tyre: Ligji për Trepçën dhe Ligji për investime strategjike.

“Një qeveri e përgjegjshme do të mund të bënte punë të mëdha me favoret që janë krijuar me këto dy ligje”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme