Qeveria fton opozitën në Komision për matjen e territorit

Prishtinë | 18 Jan 2017 | 15:48 | Nga

Qeveria e Kosovës njofton se takimi konstituiv i Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 24 janar, andaj i ka bërë ftesë opozitës që të jenë pjesëmarrës në këtë takim.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se adresimi i çështjes së shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për qytetarët e saj, si dhe për forcimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës, duke qenë se me këtë akt, Kosova do të kishte edhe një kufi ndërkombëtar, do të fuqizohej partneriteti me Malin e Zi, por edhe me NATO-n dhe më gjerë.

Duke pas në konsideratë debatin publik si dhe ndjeshmërinë e këtij procesi, institucionet e Kosovës kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme që në opinion të trajtohen të gjitha dilemat dhe materialet adekuate rreth këtij procesi.

Pikërisht në këtë funksion, Qeveria e Kosovës së fundi ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për mision që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.

Në këtë komision janë ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues nga:

–          Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës;

–          Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore;

–          Lëvizja Vetëvendosje;

–          Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;

–          Nisma për Kosovën;

–          Dy ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile;

–          Agjencioni i Kadastrit;

–          Agjencioni i Ujërave;

–          Agjencioni i Pyjeve;

–          KOSTT-i;

–          Agjencia Kosovare e Privatizimit;

–          Policia e Kosovës;

–          Agjencioni i Statistikave të Kosovës;

–          Komuna e Pejës;

–          Komuna e Deçanit;

–          Komuna e Istogut;

–          Komuna e Junikut;

–          Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës.

Në cilësinë e anëtarëve vëzhgues janë ftuar përfaqësues nga:

–          Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë;

–          Bashkimi Evropian;

–          KFOR-i.

Pjesëmarrjen në punën e Komisionit e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët, përveç tri subjekteve opozitare.

Dërgimin e anëtarëve për vëzhgimin e punës së komisionit e kanë konfirmuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe KFOR-i.

Takimi Konstituiv i Komisionit do të mbahet më datë 24 janar 2017.

Duke pas parasysh interesat vitale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe duke ditur zhvillimet e fundit dhe domosdoshmërinë për unifikim rreth kauzave shtetërore, Qeveria e Republikës së Kosovës fton përfaqësuesit e tri subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën, që të dërgojnë ekspertët e tyre në komision, kontributi i të cilëve do të ishte tejet i çmuar në këtë proces shtetëror.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme