Qeveria kërkon kohë t’i bindë kundërshtarët e Demarkacionit

Prishtinë | 10 Sht 2016 | 14:11 | Nga

Qeveria e Kosovës pas tërheqjes së projektligjit nga Kuvendi i Kosovës, për shënimin e vijës kufitare me Mal e Zi, synon që periudhën kohore deri në ridërgim të projektligjit në Kuvend, ta shfrytëzojë për t’i bindur palët që kundërshtojnë këtë marrëveshje për reflektim.

Për këtë kryeministri Isa Mustafa ka filluar takime me palë të ndryshme, ndërsa ka paralajmëruar se do thërras në takim edhe partitë opozitare të cilat e kundërshtojnë versionin aktual të Demarkacionit.

Por, ekzekutivi ka lënë të kuptohet se, përkundër kundërshtimeve të versionit aktual, nuk do të reflektojë edhe vetë për të marr parasysh vërejtjet për marrëveshjen me Malin e Zi e nënshkruar një vit më parë, raporton lajmi.net.

Këshilltari për media i kryeministri Isa Mustafa, Faton Abdullahu ka thënë se pas tërheqjes së projektligjit për demarkacionin e deri në ri-procedim do ta shfrytëzojnë për të biseduar me palë të ndryshme që të informohen drejtë dhe të reflektojnë.

“Periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend do ta shfrytëzojmë pos tjerash edhe për të vazhduar me sqarime e interpretime të drejta për tu dhënë mundësi të gjithëve subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejtë gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka thënë Abdullahu.

Në kuadër të bisedimeve për këtë çështje, kryeministri Mustafa ka filluar disa takime.

Ai ka mbajtur dy të tilla, një me kryetar të komunave të rajonit të Dukagjinit dhe një me Policinë Kufitare e drejtues të Agjencionit Kosovarë të Privatizimit.

Ndërsa për mbajtjen e një takimi me partitë opozitare, Abdullahu nuk ka dhënë ndonjë kohë se kur mund të ndodhë.

Kohë të saktë, ekzekutivi nuk ka as për riporcedimin e marrëveshjes në Kuvend, ndonëse janë bërë dhjetë ditë që kur kjo marrëveshje më kërkesë të kryeministrit Mustafa është tërhequr nga Kuvendi.

“Demarkacioni do të procedohet tutje përsëri në Kuvend pa vonesë por me krijimin e rrethanave optimale për këtë çështje. Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme, për shumë arsye tashmë të njohura e një nga më të rëndësishmet është shënjimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit tonë dhe Malit të Zi me çka kështu vazhdojmë procesin e shtet-ndërtimit edhe në këtë formë, duke mos përjashtuar edhe normalizimin e raporteve me fqinjët si dhe shfrytëzimin e mundësisë së mirë për heqjen vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Abdullahu.

Ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi edhe pse është nënshkruar me 25 gusht të vitit 2015, ende nuk ka ndodhur nga Kosova.

Kjo pasi versioni aktual është kundërshtuar nga partitë opozitare dhe ekspertë të fushës duke thënë se nga kjo marrëveshje Kosova humbë afër 8.000 hektarë tokë.

Ndërsa mos ratifikimi i saj është bërë kusht nga BE edhe sa i përket liberalizimit të vizave.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme