Qeveria miraton disa shpronësime për interes publik

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 17:45 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e parë për vitin 2018, ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Pronat gjenden në zonën kadastrale Stanovc i Epërm në komunën e Vushtrrisë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. Pronat gjenden ne zonat kadastrale Doganaj, Soponicë, Rekë, Nikaj, Biqec, Koxhaj, Gajre, Gjurgjidell, Kaçanik, Kaçanik i Vjetër të Komunës së Kaçanikut dhe në zonat kadastrale Paldenicë dhe Pustenik të komunës Hani i Elezit.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme. Rregullorja krijon kushtet e nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën nga 28 shkurti 1998 deri më 31 mars 2014. Në të përcaktohen përgjegjësitë e organeve kompetente dhe vendimmarrëse, si dhe procedurat dhe kriteret për asistencë.

Qeveria me vendim ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për të nisur negociatat për lidhjen e Marrëveshjes për shërbime të transportit ajror në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Me kërkesë të ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, është aprovuar vendimi që t’i rekomandohet presidentit që të autorizojë Marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Është themeluar një grup punues nga ekspert të ministrisë dhe ekspertë nga shoqëria civile që do të përgatisin një plan të veprimit për institucionet e Republikës së Kosovës. Zëvendëskryeministri Pacolli ka bërë të ditur se është duke u punuar edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Të ngjashme