Qeveria miraton programin 2017-2021, Haradinaj paralajmëron të bëjë dallimin

Prishtinë | 18 Sht 2017 | 16:32 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të tretë në të cilën ka miratuar Programin e Qeverisë, Programin Legjislativ dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për lirinë fetare.

Qeveria ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017 – 2021, ta cilin kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar si vizion qeverisës të koalicionit dhe kontribut të resorëve ministror.

Ai përmbledh objektivat qeverisës dhe zhvillimor të cilat do t’i zbatojë kjo qeveri brenda këtij mandati qeverisës.

Programi i Qeverisë do të publikohet dhe do bëhet i qasshëm për publikun si dhe do të përcillet në Kuvendin e Kosovës për debat nga deputetet.

Gjatë prezantimit të këtij programi para kabinetit, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky planprogram do të bëjë dallimin nga qeveritë e tjera për atë se sa do të gjejë zbatim, raporton Ekonomia Online.

“Ky program përmbledh në vete objektiva qeverisëse zhvillimore. Për dallim prej qeverive të kaluara kur programet kanë paraparë plot zgjidhje, por ndoshta kanë ngecur në zbatim, unë mbaj shpresë të madhe se kjo qeveri do të bën dallimin edhe me kapacitetin e vet zbatues”, tha Haradinaj.

Pro këtij programi votuan të gjithë ministrat, me përjashtim të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili abstenoi.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Programin legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për lirinë fetare.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka informuar kabinetin qeveritar për situatën e krijuar në transportin e udhëtarëve, të cilat kanë lindur si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes të Stacionit të Autobusëve dhe shoqatave të transportuesve të udhëtarëve.

Kurse kryeministri ka shprehur shqetësimin për vrasjen e të riut, Aulon Zeka, në Prishtinë dhe ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin masat në rritjen e sigurisë për qytetarët si dhe në parandalim të rasteve të tilla.

Në këtë rast kryeministri Haradinaj ka ngushëlluar familjen Zeka për humbjen e birit të tyre.

Të ngjashme