Qeveria miraton Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruar për Konfiskimin e Pasurisë

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 15:55 | Nga Valbona Bytyqi

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruar për Konfiskimin e Pasurisë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, derisa ka prezantuar këtë projektligj tha se është rritur numri i veprave penale për të cilat do të bëhet konfiskimi i pasurisë.

Tahiri tha se çështja e konfiskimit është zgjeruar edhe për palët e treta.

Sipas kreut të MD-së, me ndryshimet në këtë projektligj është paraparë edhe rritja e bashkëpunimit mes prokurorëve dhe personave që mund të kenë informata për pasurinë e të pandehurit, raporton Ekonomia Online.

Mirëpo ministri i Financave kërkoi nga ai i Drejtësisë që të dijë se ku e kanë marrë bazën e hartimit të këtij projektligji.

Sipas tij, është shumë me rëndësi të dihet duke pasur parasysh edhe procesin integrues të Kosovës.

Ndërsa Tahiri tha se ky ligj nuk është model asnjë vendi.

Ai tha se është bërë në përputhje me nevojat e Kosovës me ndihmë të ekspertëve ndërkombëtarë.

Kreu i MD-së tha se ky projektligj është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, raporton EO.

Miratimi i këtij projektligji u parapri nga një diskutim mes Kabinetit Qeveritar lidhur me përputhshmërinë e tij me legjislacionin si dhe me sigurimin e të drejtave të qytetarëve.

Të ngjashme