Qeveria mirëpret kthimin e Listës Serbe

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 15:33 | Nga

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur kthimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet qendrore të vendit.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radio Evropa e Lirë se para institucioneve të Kosovës gjenden detyra dhe projekte të mëdha, të cilat kërkojnë përkushtimin e koalicionit qeverisës në tërësi, për t’i funksionalizuar ato.

“Ne si qeveri e përshëndesim këtë hap dhe është mirë që po kthehen, sepse në rend të parë është në të mirën e vet komunitetit serb, i cili ka votuar që këta përfaqësues të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe jo të bëjnë politika jashtë institucioneve të Kosovës”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka shtuar se kthimi i përfaqësuesve të Listës serbe në institucionet qendrore të vendit është meritë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili siç ka thënë ai, “ka qenë konsekuent dhe është i bindur se kthimi i Listës Serbe është i nevojshëm edhe për Kosovën, por edhe për komunitetin serb”.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se kthimi i Listës Serbe mund të ndërlidhet me mungesën e këtij subjekti politik në afatin prej gjashtë muajve.

Sipas rregullores së punës, mungesa prej gjashtë muajve në Kuvend, nënkupton humbjen e mandatit apo mandateve nëse bëhet fjalë për grup deputetësh, andaj, ai tha se Lista Serbe, duket se me kthimin në institucione ka llogaritur më shumë që t’i ruaj mandatet që i ka në Kuvend.

Lista Serbe në shenjë kundërshtimi me miratimin e ligjit për Trepcën dhe për Investimet Strategjike që prej tetorit të vitit të kaluar ka bojkotuar punën e institucioneve të vendit, përfshirë edhe Kuvendin.

Një përpjekje për kthim u bë pak muaj më parë kur një grup i ndarë i Listës u kthye në Kuvend, duke përjashtuar dy deputetë të saj dhe duke zëvendësuar njërin ministër të Listës me një tjetër. Lista Serbe sërish doli nga institucionet e Kosovës dhe rikthimi i paralajmëruar mund t’i japë fund bojkotit disa muajsh.

Vendimin për kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës e ka ‘mbështetur’ Beogradi zyrtar.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka thënë televizionit shtetëror serb në Beograd se “e respekton vendimin e përfaqësuesve serbë për kthim në Kuvendin e Kosovës dhe që pavarësisht rrethanave të vështira, aktivisht ta kundërshtojnë krijimin e të ashtuquajturës ushtri të Kosovës”. (REL)

Të ngjashme