Qeveria pa përgjigje për linjën hekurudhore të Serbisë në veri

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 08:36 | Nga

Beogradi është bërë gati që më 13 janar, kur festohet viti i ri serb, ta lëshojë në qarkullim linjën hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Nëpër binarët, të cilët Kosova nuk i ka nën kontroll, do të lansohet një tren modern, dhuratë nga Rusia, i mbushur me motive fetare të serbëve.
Ka qenë shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që ditë më parë ka paralajmëruar linjën hekurudhore Beograd – Mitrovicë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tij, në këtë linjë, e cila do të nisë së funksionuari për herë të parë pas luftës, do të udhëtojë treni më i ri nga Rusia, në vitin e ri serb. Treni është i zbukuruar me flamurin serb dhe me emrat e kishave serbe, të manastireve dhe qyteteve mesjetare të Kosovës, vepër e artistit Andreja Vasiljeviq.

“Për vitin e ri serb zyrtarisht do të udhëtojë treni në linjën Beograd – Mitrovicë. Ai do të udhëtojë përmes destinacionit Beograd – Mladenovac – Lapovo – Kragujevc – Rashkë – Mitrovicë. Ky do të jetë një tren me shpejtësi të lartë dhe nuk do të ndalet në çdo urë”, ka thënë Gjuriq. Ndërkaq çmimi i biletës do të jetë përgjysmë më i lirë sesa i autobusëve.

Sipas tij, përfituesit kryesorë të kësaj linje të re hekurudhore janë studentët nga pjesë të ndryshme të Serbisë, të cilët studiojnë në Universitetin e Mitrovicës.

Të ngjashme