Qytetarët ankohen se nuk e kanë të qartë vendin ku do të votojnë

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 21:09 | Nga

Pas publikimit të listës së votuesve se në cilin vend do të votojnë, në adresë të KQZ-së kanë shkuar shumë ankesa nga qytetarët.

Shumë votuesve u është ndërruar vendi i votimit, për çka ankohen se anëtarët e së njëjtës familje duhet të votojnë në vende të ndryshme, raporton KTV.

Madje sipas tyre, më e vështirë bëhet për ata persona të cilët nuk kanë qasje në internet për t’u njoftuar, meqë KQZ-ja këtë mundësi verifikimi e ka ofruar vetëm online.

Ankesa të tilla kanë pranuar edhe vëzhguesit e zgjedhjeve të 11 qershorit të cilët thonë se mosinformimi i duhur mund edhe të ndikojë te njerëzit që të mos votojnë fare.

Albert Krasniqi nga KDI-ja thotë se votuesit mund të dekurajohen lehtë kur detyrohen të lëvizin nga qendra në qendër për ta gjetur emrin e tyre.

Krasniqi thotë se KQZ-ja, përveç se nuk i ka informuar në mënyrë të drejtë qytetarët, rregullat tregojnë saktë se secili banor duhet ta ketë mundësinë që të votojë më së afërmi vendit të banimit.

Por në KQZ arsyetohen, duke thënë se në momentin kur qytetarët pajisen me dokumente civile, adresat që ata japin, pasqyrohen në Ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil prej nga buron Lista e Votuesve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme