Rasti i Kryeparlamentarit kërkohet që të dërgohet në Kushtetuese

Prishtinë | 10 Gus 2017 | 16:15 | Nga

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi sot, pasi dështoi seanca konstituive e Kuvendit në mungesë të koalicionit PAN, dha një ide për të dalë nga kjo krizë parlamentare.

Siç propozoi Gashi, deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të vazhdojnë të zgjedhin nënkryetarët e legjislativit .

“Pastaj kur futemi në afate ligjore atëherë zhbllokohet situata” sqaroi Gashi.

Por, kjo ide e deputetit të LDK-së nuk po shihet të jetë zgjidhje për të dalur nga situata e krijuar.

Isuf Zejna nga Demokraci Plus (D+), thotë se një propozim i tillë është i parealizueshëm për shkak të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

“Ideja e Arben Gashit është në kundërshtim me legjislacionin, Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës e po ashtu edhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mundet me u implementu në praktikë se bjen ndesh me krejt rregullat. Pa u zgjedh kryetari dhe nënkryetari nuk konsiderohet e konstituuar seanca” tha Zejna për Gazetën Observer.

Për të dalë nga situata e krijuar, Zejna propozon që për këtë çështje partitë të cilat janë në Kuvend t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me një pyetje rreth kryeparlamentarit, si në rastin aktual, ku partia fituese e zgjedhjeve nuk e propozon atë.

“Çka këta duhen me bë është duhet me dërgu pyetje për sqarim në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me atë se çka ndodh nëse fituesi i zgjedhjeve nuk e propozon kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, si mundet me u tejkalua kjo”, thotë hulumtuesi i lartë në D+.

Sipas tij, bojkoti që koalicioni PAN po i bën Kuvendit, është i qëllimshëm dhe ata po përfitojnë kohë që të sigurojnë numrat në forma të ndryshme.

“Mungesa e PAN është në kundërshtim me interpretimin e rregullave te Gjykatës, është tendencë me ble kohë për me negociu me Listën Sërbska për formimin e qeverise, për shkak se këta nuk kanë marrëveshje. Nëse zgjidhet kryetari i Kuvendit fillojnë afatet ligjore me ecë e munden mos me arritë me i përmbyllë marrëveshjet. Për më tepër ka negociata me deputet individual e me parti si Alternativa e AKR me tentu me i bindë për përfshirje eventuale ne Qeveri”, thotë Zejna.

Ndryshe, seanca konstituive mund të vazhdoj të hënën, siç ka thënë kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, ndërsa ende nuk është e qartë se a do të marrin pjesë paritë e koalicionit PAN.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme