Rrugëtimi i gjatë i PAN-it

Prishtinë | 09 Sht 2017 | 13:09 | Nga

Krijimi i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës ishte një sfidë e vërtetë për koalicionin fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit, i quajtur koalicioni PAN, i cili më vete përfshin Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Që nga nata e 11 qershorit, kur rezultatet preliminare të zgjedhjeve dëshmuan se për formimin e institucioneve nevojiten negociata për koalicione të reja, PAN provoi disa mënyra për të krijuar bashkëqeverisje.

U provuan negociatat me deputetët veç e veç, kryesisht me ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re. Dhe, në fund, më 5 shtator, si rezultat i këtyre negociatave doli që AKR-ja dhe Behgjet Pacolli të pranojnë të bëhen pjesë e koalicionit PAN.

Hapi i parë i formimit të institucioneve u përmbyll më 7 shtator, pas shtatë seancave të ndërprera me zgjedhjen e liderit të PDK-së, Kardi Veseli, në postin e kryetarit të ri të Kuvendit.

Mandatari për formimin e Qeverisë, Ramush Haradinaj, mendon se vonesat për formimin e institucioneve të reja ishin evidente, por sipas tij, është dashur të pritej që Kosova të ketë një koalicion të qëndrueshëm që do t’i përballojë sfidat e shumta.

“Në Kuvendin e Kosovës janë 120 deputetë, nga të gjitha partitë, nga të gjitha grupet politike dhe ata e mbrojnë interesin e Kosovës, jo vetëm ata që janë në pushtet. Pra, ne besojmë që Kuvendi do të mbrojë interesin e vendit, pa marrë parasysh kompozicionit të atyre që e përkrahin një Qeveri, në cilëndo etapë, edhe tash edhe në të ardhmen”, ka thënë Haradinaj.

“Situata në vend është jo e lehtë, mirëpo detyra e jonë e të gjithëve është që me punë të nisim dhe të gjallëron ky vend dhe të kthehet shpresa”, ka theksuar tutje ai.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria e re duhet të angazhohet që Kosova të mos mbetet një vend ndryshe nga shtetet tjera dhe t’i krijohet qartë perspektiva integruese evropiane.

“Çështja është se a mundet Qeveria e ardhshme të krijojë kushte që qytetarët e Kosovës të ecin me kohën me vendet tjera të rajonit. Një shembull ku ne nuk jemi të barabartë me të tjerët, është liberalizimi i vizave”, ka thënë Hoxhaj.

Por, formimi i Qeverisë duke u mbështetur në disa deputetë dhe në Listën Serbe, sipas kryeministrit të deritashëm Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkupton një Qeveri të paqëndrueshme. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa kishte parashikuar ditë të vështira për funksionimin e këtij koalicioni.

“Mjerë ajo Qeveri e cila mbetet peng i dy, tre apo katër deputetëve ose peng i 10 deputetëve të Listës Serbe, të cilët nesër, kur të duan hyjnë në sallë dhe kur të duan e lëshojnë sallën dhe asnjë ligj nuk mund të procedohet në Kuvend, në qoftë se nuk marrin pjesë në votimin e atij ligji 61 deputetë”, kishte vlerësuar Mustafa.

Koalicioni PAN në zgjedhje kishte garuar me një grupim prej rreth 20 partive politike. Por, prej tyre, ulëse në Kuvend siguruan vetëm PDK, AAK dhe Nisma. Ndërkaq, pas zgjedhjeve, këtij koalicioni iu bashkua AKR-ja e Behgjet Pacollit, Lista Serbe, si dhe partitë e komuniteteve tjera pakicë.

Analistët politikë, këtë koalicion po e shohin me hezitime që në start.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se koalicioni nuk e ka fuqinë politike, të cilën e pretendon. Ai parasheh shumë probleme në vendimmarrje për këtë koalicion, që nga ditët e para të funksionimit.

“Nëse mbizotërojnë politikat e inateve, do të thotë, edhe çështjet e rëndësishme të cilat do të ishin të pranueshme për shumicën e qytetarëve mund të bllokohen, marrë parasysh rolin dhe inatet që janë dhe kanë qenë në skenën politike në Kosovë”.

“Megjithatë, duke e parë mënyrën dhe natyrën se si ka vepruar LDK-ja në të kaluarën, për çështje të rëndësishme vendimmarrja nuk do të duhej të bllokohej për shkak të inateve ndërmjet partive politike dhe liderëve në veçanti”, vlerëson Krasniqi.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj, vlerëson se një koalicion i tillë do të jetë vështirë i menaxhueshëm dhe se, sipas tij, do të jetë mjaft i komplikuar akomodimi i interesave të të gjitha këtyre partive politike brenda një Qeverie.

“Numrat në Kuvend nuk e premtojnë një Qeveri të qëndrueshme dhe një Qeveri afatgjatë, pavarësisht se shpesh për çështje, të cilat kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm, do të mund të ndodhë që të votoheshin edhe nga opozita”.

“Mirëpo, do të doja të besoja që Haradinaj, atë energjinë e tij të mund ta ‘përkthejë’ edhe në qeverisje të mirë për vendin”, thekson Mushkolaj.

Një sfidë tjetër për koalicionin e ri, sipas analistëve politikë, mbetet opozita, e cila kësaj radhe besohet se është më e fuqishme sesa herëve tjera. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, shihen si dy parti politike që mund t’i sfidojnë seriozisht politikat e koalicionit të ri.

Ndërkohë, që nga prioritetet e Qeverisë së re nënvizohen reformat nisur nga arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe politikat ekonomike për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe joshjen e investimeve te huaja.

Kurse, nga çështjet politike, mbeten probleme që kërkojnë zgjidhje dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pastaj proceset integruese dhe liberalizimi i vizave që duhet të kalojë përmes ratifikimit të demarkacionit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe sfida e përhershme e ndërtimit të shtetit ligjor dhe krijimit të kushteve për funksionimin e pavarur të Gjyqësorit./REL.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme