Rugova: Votoj në harmoni me qëndrimet e LDK-së dhe jo ndryshe

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 10:23 | Nga

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për të cilin u spekulua nga media të ndryshme se do ta votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, i pyetur nga Klan Kosova për këtë çështje, ka thënë se ai do të votojë në harmoni në plotë me organet e partisë të cilës i takon dhe jo ndryshe.

“Unë do ta respektoj vullnetin e elektoratit që më ka zgjedhur dhe në harmoni të plotë me grupin parlamentar të subjektit të cilit i takoj”, pohoi Rugova.

I pyetur nëse ka një përgjigje me “po”, ose “jo”, për votën e tij, ai ka përsëritur qëndrimin se voton në harmoni të plotë me LDK-në dhe se kjo është e gjitha.

Të njëjtin qëndrim Rugova e ka mbajtur edhe në një status të tij në Facebook.

“Prapë e paskan lakuar emrin tim, si numër e jo si i zgjedhur nga vota e qytetarëve. Për herë të fundit po ju bëj të fala se unë Naser Ali Rugova do të respektoj vullnetin e elektoratit që më ka zgjedhur dhe vendimet politike të organeve vendimmarrëse të LDK- së në harmoni të plotë me Grupin Parlamentar të subjektit që i takoj. Qëndrestarët gjithmonë ja dalin! Vetëtima gjuan lisat e jo hithërat! Stoik si gjithmonë! Tradita vazhdon!”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Pos, Naser Rugovës, është lakuar edhe emri i Teuta Rugovës si njëra nga deputetet që s’i takon koalicionit PAN, por që do ta votojë Haradinajn për kryeministër. Deputetja e zgjedhur Rugova ende nuk u është përgjigjur këtyre spekulimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme