Sa morën mëditje deputetët në ditën kur u nënshkruan 114 e në sallë mbetën 32

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 14:57 | Nga

Mospërfundimi i të gjitha pikave për legjislaturën e gjashtë të Kuvendit, për shkak të mungesës së deputetëve tashmë është bërë e zakontë.

Javën që lamë pas, Kuvendi ka mbajtur tri seanca ku në asnjërën prej tyre nuk ka arritur të përfundojë të gjitha pikat.

Të zgjedhurit e popullit, janë në numër të madh në fillimet e punimeve të seancave, ku nuk e lëshojnë rastin të nënshkruhen edhe për mëditje, shuma e së cilës është 120 euro, por që disa orë pas fillimit të seancave në sallë mbesin numër i vogël i deputetëve.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në seancën e së mërkurës, ku në fillim të saj të nënshkruar ishin 114 deputetë, ndërsa disa orë pas fillimit të kësaj seance, në sallë ishin vetëm 32 deputetë.

Në këtë seancë deputetët morën 13.680 euro vetëm nga mëditje, (120 euro për një deputet), por nuk përfunduan të gjitha pikat e rendit të ditës, shkruan lajmi.net.

Për mungesë të kuorumit kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën, ku mbetët pa u votuar raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2017 dhe raporti i vjetor I Akademisë së Drejtësisë për vitin 2017, si dhe propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Mungesa e deputetëve në seancë atë ditë, bëri që kryesuesi i saj, Xhavit Haliti të kërkojë nga administrata heqjen e mëditjeve deputetëve që janë nënshkruar por, që nuk kanë qenë në sallë.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në sekretarin e Kuvendit për të mësuar nëse u është hequr mëditja deputetëve, ashtu siç ka kërkuar Haliti, por që nuk ka marrë përgjigjeje.

Sanksionim të deputetëve për mos qëndrim në seancat plenare ka kërkuar edhe shoqëria civile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme