Sabotimi i Kuvendit në favor të krimit

Prishtinë | 15 Pri 2017 | 14:55 | Nga

Mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës nuk është krejt e rastësishme. Këtë e kanë kuptuar si përfaqësuesit diplomatik që veprojnë në Kosovë, ashtu edhe vet kreu i shtetit. Edhe shkakun, pse po ndodhë kjo të dyja palët po e dijnë.

Disa deputetë nuk po duan të miratohet Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, pasi është hedhur poshtë ideja për shkurtimin e kohëzgjatjes së vuajtjes së dënimit për të burgosurit.

Pas ndërprerjes së seancës që ndodhi gjatë kësaj jave, presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, ndaras reaguan ashpër.

Ky i fundit u bëri apel të gjithë deputetëve të Kosovës që të votojnë ligjet të cilat luftojnë krimin dhe korrupsionin në Kosovë, sepse kjo është në interes të gjithë vendit.

Tash kur seanca e radhës është caktuar për t’u mbajtur javën e ardhshme, deputetët e koalicionit qeverisës besojnë se do të miratohen projektligjet e kësaj natyre në Kuvend.

Blerta Deliu- Kodra, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës është optimiste se këto obligime do të kryhen nga ana e Kuvendit.

Ajo ka thënë për AktivPress se në momentin që të ketë kuorum në Kuvend do të miratohen edhe ligjet e rëndësishme.

“Nuk ka pas kourum atë ditë kur është ardhë në seancë plenare ky ligj. Unë nuk kam qenë në Kuvend sepse isha në udhëtim jashtë vendit. Kosova në kuadër të përpjekjeve të saj do t’i kryej obligimet që i ka dhe unë besoj se në javën që vjen këtë ligj do ta kemi prap në seancën e radhës”, ka thënë ndër të tjerash deputetja Deliu-Kodra.

Ndërkaq këtë mendim se ligjet për luftim të krimit e korrupsionit do të miratohen nuk e kanë partitë opozitare në vend.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar për AktivPress se mosvotimin e Ligjit për Sanksionet Penale po e shkakton Partia Demokratike e Kosovës, siç thotë ajo për shkak të deputetit të kësaj partie, Nait Hasanit.

“Projektligji per ekzekutimin e sanksioneve penale nuk po miratohet në shqyrtim të dytë, për shkak të sabotimit të deputetëve të PDK. Arsyeja për këtë është moskalimi amendamentit të deputetit Nait Hasani, i cili ka pasur për qëllim që një ditë në burg, pra 24 orë të llogaritet 36 orë. Ky amendament nuk u përkrahë nga deputetët dhe tani PDK nuk po voton fare, duke pamundësuar kuorumin”, ka deklaruar Haxhiu.

Sa i përket thirrjes së ambasadorit amerikan, Greg Delawie, ajo ka shtuar se ambasadori duhet të dijë që këto ligje nuk do të votohen pasi sipas saj qeveria nuk ka interes të miratojë ligje kundër krimit e korrupsionit.

“Besoj që edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, është i vetëdijshëm që njerëzit e kësaj Qeverie dhe kësaj mazhorance nuk janë të interesuar të miratojnë ligje që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin pasi që i bie të dalin kundër vetes e që nuk do ta bëjnë”, ka thënë ndër të tjerash ajo.

Haxhiu shprehet e bindur se qeveria dhe legjislatura do të ngecin dhe më tutje në miratimin e këtyre ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

“Duke pasur parasysh faktin që tri vite të qeverisjes Mustafa, ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim i cili ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, unë jam e bindur që kjo Qeveri dhe kjo legjislaturë do të ngecin edhe në këtë drejtim”, ka shtuar Haxhiu.

Deputetja e VV-së, ka deklaruar se për këtë lëvizje është e papranueshme edhe heqja e procedimit të Projektligjit për konfiskimin e pasurisë nga Ministria e Drejtësisë.

“Për ne, është i papranueshëm fakti që Ministria e Drejtësisë, ka hequr dorë nga procedimi i projektligjit për konfiskimin e pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme, pasi që sipas strategjisë legjislative, ai projektligj është dashur të procedohet në Kuvend, në qershorin e vitit të kaluar”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, Kosova ka nevojë për një Qeveri të pastër e të vullnetshme e poashtu siç thotë “prokurorë e gjyqtarë të guximshëm”.

“Aktualisht se kemi as të parën dhe as të dytën, fatkeqësisht”, ka përfunduar ajo.

Me kritika drejtuar koalicionit qeverisës është shprehur edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka deklaruar për AktivPress se si parti janë pro votimit të Ligjit për Sanksionet Penale, por që sipas saj këtë po e pamundëson mungesa e disiplinës së deputetëve të pozitës.

“Është e çuditshme sepse në seanca përveç mungesës së një shumice absolute të deputetëve, po mungojnë edhe krerët e vendit, po mungojnë ministrat, kryeministri dhe kjo është fatkeqësia. Partnerët e koalicionit duhet të jenë më të disiplinuar, të jenë në orar të punës në seanca penale që të miratohen ligjet, qoftë për sanksionet penale apo projektligjet e tjera”, ka thënë Kadriaj.

Ajo ka shtuar se për shkak të zvarrites së seancave për muaj të tërë, nuk mund të garantojnë se në takimet e ardhshme do të mund të kalonin ligjet specifike.

“Pas zvarritjes së seancave me muaj të tërë nuk po arrihet një seancë me një rend të ditës të përcaktuar paraprakisht dhe kjo është për shkak të mungesës së kuorumit. Deputetët e pozitës, janë një mazhorancë e madhe dikund 89 deputetë që munden në çdo kohë t’i aprovojnë ligjet. Ne jemi pro votimit të këtyre ligjeve por nuk mund të garantojnë edhe për deputetët e pozitës”, ka përfunduar deputetja e AAK-së.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, nga ana e tij ka deklaruar se me ndryshimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Kosova mund të sigurojë që të gjithë të burgosurit të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh lidhjet e tyre politike apo statusin e “celebritëve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme