Samiti i Komisioneve përmbyllet me një Deklaratë të përbashkët

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 16:27 | Nga

“Lufta kundër terrorizimit dhe radikalizmit në rajon”, ishte tema e sotme e ditës se dytë të punimeve të Samitit të komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Evropës, të organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Paneli i katërt dhe i fundit i këtij samiti, u kryesua nga  Anne Brasseur, anëtare e parlamentit të Luksemburgut, kryesuese e delegacionit në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj, gjatë diskutimit të tij fillimisht foli për përkushtimin që ka qeveria e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane, ndërkaq ka folur edhe për rëndësinë e fqinjësisë së mirë në rajon. Tutje, pasi ka përmendur dialogun e Kosovës me Serbinë, tha se qeveria serbe duhet të zbatojë marrëveshjet që janë arritur gjatë këtyre bisedimeve. Ai vlerësoi se liberalizimi duhet të ndodhë shumë shpejt, ndërkaq, vlerësoi se në rast se nuk ndodh, ky është dështim i të gjithëve.

Në vijim, duke u ndërlidhur me temën e sotme të këtij samiti për luftën kundër terrorizimit dhe radikalizmit në Kosovë, ai tha se në rast se nuk mungon bashkëpunimi, mund të luftohet bashkërisht ky fenomen. Ndërkaq, ka sqaruar mes tjerash edhe angazhimet e mëtejme dhe gatishmërinë që ka qeveria për luftimin e kësaj dukurie. Me këtë rast, ai ka përmendur edhe faktin se viteve të fundit nuk ka asnjë pjesëtarë të Kosovës të përfshirë në luftëra të huaja.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, me këtë rast tha se, bashkëpunimi për luftimin e këtyre dukurive është i domosdoshëm, ndërkaq ka përmendur edhe faktin se ka mungesë të bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, po krijon hendek. Ai pasi ka sqaruar ligjet të cilat janë nxjerrë për këtë çështje, tha se njëra nga mënyrat parandaluese të këtyre dukurive është bashkëpunimi me shkollat dhe me bashkësitë fetare.

“Jemi të gatshëm të kryejmë detyrat tona, por kërkojmë edhe ndihmën tuaj”, tha me këtë rast, Kuçi.

Jan Braathu, ambasador i misionit të OSBE-së në Kosovë, fillimisht shpalosi aktivitetet e këtij misioni dhe iniciativën që kanë pasur drejt mbështetjes së Kosovës në këtë çështje. Ai tha se OSBE do të vazhdojë të ndihmojë qeverinë në zbatimin e strategjisë për luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit. Duke shtuar se jo vetëm fuqizimi i ligjeve mund ta rrënjosë këtë dukuri, por, vijoi ai, për këtë nevojitet kontributi i të gjithëve, me theks të veçantë përmendi edhe shoqërinë civile. Ndërsa, tha se bashkëpunimi me bashkësitë fetare është i domosdoshëm. Braathu tha se ekstremizmi buron nga gjuha e urrejtjes, duke përmendur me këtë rast grafitet që nxisin urrejtje, duke marrë shembull një të tillë që ka ndodhur në Gjilan.

“Luftimi i terrorizimit dhe radikalizmit është një fenomen ndërkombëtar dhe që të jemi të suksesshëm duhet të bashkëpunojmë”, tha Braathu.

Ndërkaq, Rihards Kols, zëvendëskryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Parlamenti i Letonisë, tha se kjo është çështje ndërkombëtare dhe një sfidë për tërë komunitetin. Sipas tij, kohëve të fundit terrorizmi e ka mbuluar Evropën, ndërkaq ka shtuar se kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe se duhet mobilizuar në nivel global. Ai vijoi duke thënë se duhet t’i edukojmë të rinjtë tanë që idetë ekstremiste nuk janë të pranueshme, ndërkaq diskutimi i tij është fokusuar kryesisht në luftimin e propagandës në këtë drejtim.

Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrjen e FSK-së, gjatë diskutimit të tij shfaqi nevojën urgjente që Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it, duke përmendur me këtë rast shkëmbimin e informatave që mund të kishte edhe në aspektin e luftës kundër terrorizimit dhe radikalizmit. Pasi ka përmendur mekanizmat që ka ndërmarrë shteti drejt luftimit të kësaj dukurie si dhe bazën ligjore që është krijuar për këtë çështje tha se institucionet e zbatimit të ligjit janë shumë të vendosura që të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që nxisin ose që janë pjesëmarrës direkt në terrorizëm.

Pasi ka paraqitur statistikat e pjesëtarëve të Kosovës, pjesëmarrës në luftëra të huaja dhe për të arrestuarit, tha se shqetësuese në vend mbetet mungesa e perspektivës së të rinjve, si dhe mungesa e lëvizjes së lirë të qytetarëve në Evropë. “Rruga e vetme është Evropa dhe anëtarësimi në institucionet euroatlantike”, tha Haradinaj.

Miro Kovaq, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Parlamenti i Kroacisë, tha se lufta kundër terrorizimit dhe radikalizmit është punë e institucioneve të vendit dhe se është detyrë e tyre që t’i luftojë këto fenomene. Ai tha se kjo duhet bërë në mënyrë efikase dhe se duhet vazhduar këtë betejë, ndërkaq ka përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. “Besoj në fuqinë e popullit tuaj. Kroacia do t’iu ndihmojë sa herë që është e nevojshme”, tha mes tjerash Kovaq.

Gjatë kryesimit të këtij samiti  Anne Brasseur tha mes tjerash se duhet të respektohet sundimi i ligjit, sepse kjo dëmton demokracinë e vendit dhe se duhet të ndërtohen institucione të fuqishme. “Sfidë për vendin tuaj është sundimi i ligjit”, tha Brasseur.

Alessandra Roccasalvo, zëvendës përfaqësuese rezidente e UNDP-së në Kosovë, gjatë fjalës së saj lidhur me këtë çështje, ka përmendur publikimin e raportit të para dy vjetësh lidhur me radikalizmin, për hulumtimet dhe të dhënat e këtij raport. Ajo tha se janë të përqendruar që ta ndihmojnë qeverinë që të ndërmarrë masa parandaluese dhe se janë duke bashkëpunuar ngushte në këtë drejtim. Ajo ftoi të gjithë që mos ta lënë vetëm Kosovën.

Ndërkaq, deputetja Flora Brovina, tha se terrorizmi është kancer i shoqërisë kudo në botë dhe se tashmë çdo vend po ballafaqohet me këtë problem. Sipas saj kjo luftë kundër terrorizimit e radikalizmit nuk është e lehtë dhe se kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe se kjo duhet luftuar në mënyrë globale.

Në vijim kanë diskutuar edhe Karel Schwarzenberg, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Dhoma e deputetëve, Republika Çeke, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, si dhe pjesëmarrës tjerë në këtë samit, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, për të dhënë sugjerime të ndryshme lidhur me draft deklaratën.

Pas një konkluzioni se zgjidhjet në këtë drejtim duhet të jenë globale dhe të bashkëpunohet, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore, pjesëmarrës në këtë samit, kanë përkrahur një draft deklaratë. Deklarata e përbashkët është nënshkruar nga këta pjesëmarrës, ndërkaq, samiti ka përmbyllur punimet dy ditore në Kosovë.

Të ngjashme