Pacolli: Flamuri i shtetit të vendoset në krejt territorin, jo veç “Te Rrethi”

Prishtinë | 13 Shk 2018 | 22:23 | Nga

Nënkryetari i Prishtinës Selim Pacolli ka kërkuar që flamuri i Republikës së Kosovës të vendoset në tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm te “Rrethi”. Reagimi i tij vjen pak orë pasi kryeministri Ramush Haradinaj urdhëroi vendosjen e flamurit shtetëror në këtë lokacion.

Ishte komuna e Prishtinës që refuzoi vendosjen e flamurit shtetëror në hyrje të Prishtinës. Kryetari Shpend Ahmeti, u arsyetua se një veprim i tillë nuk ishte përgjegjësi e familjes.

“Mbi temën e shumëpërfolur të flamurit tek zona e ‘Rrethit’ në hyrje të kryeqytetit, ndjej obligim të sqaroj gjithë qytetarët e Prishtinës se përkundër deklaratave publike që kanë qarkulluar sot në portale, Komuna nuk ka marrë informatë mbi zëvendësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror. Sidoqoftë, më shqetësues është fakti që një temë e tillë është mediatizuar pa pasur nevojë duke pasur parasysh edhe ngarkesën emocionale që përçon”, shkruan Selimi në Facebook.

“Në një pikë, besoj se pajtueshmërinë e kemi të gjithë. Flamuri kombëtar personifikon unitet dhe forcë për gjithë shqiptarët kudo që janë. Ai nuk zëvendësohet as fizikisht në shtizë por as në zemrën e secilit shqiptar”, shtoi ai.

“Prishtina e respekton simbolin shtetëror dhe fatmirësisht, ka pasur mjaft hapësira të tjera për ta bërë atë edhe më viziv në këtë dekadë të shtetësisë ku reflektojmë dhe punojmë për të ardhmen me synimin që të ecim përpara e t’i sheshojmë sa më shumë që të jetë e mundur problemet dhe tendencën dashakeqe për të krijuar dallime të paqena. Unë mbes me shpresë që vendosshmëri të tilla si kjo sonte, të demonstrohen nga autoritetet në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm tek Rrethi në hyrje të Komunës së Prishtinës”, përfundoi ai.

Ishte edhe vëllai i Selimit, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli që kërkoi vendosjen e flamurit te ‘Rrethi’.

Ndërkohë në këto momente është duke u vendosur flamuri në Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme