Selmanaj: Qeveria mund të votohet ditën kur mbahet seanca konstituive

Prishtinë | 14 Kor 2017 | 11:33 | Nga

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Rasim Selmanaj, ka bërë të ditur se në takimin mes presidentit Thaçi dhe të nominuarit për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, është diskutuar për mbajtjen e seancës konstitutive. Sipas tij, është biseduar që seanca në fjalë të mbahet javën që vjen, sa më shpejt që është e mundur.

“Është diskutuar që sa më shpejt të mbahet seanca, javën që vjen”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Me këtë rast, Selmanaj ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë më së largu të mërkurën.

“E hëna është e mundshme, por e hënë, e martë, e mërkurë, nuk besoj që do të shkojë më shumë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka thënë se PAN-i i ka votat për ta formuar Qeverinë, andaj votimi i Qeverisë, sipas tij, mund të ndodhë pikërisht ditën kur do të mbahet seanca konstituive.

“I kemi votat e deputetëve për ta formuar Qeverinë. Po presim dhe jemi duke u bërë gati që formimi i Qeverisë të ndodhë në të njëjtën ditë”, është shprehur ai, me ç’rast ka thënë se PAN-i është duke punuar që të arrihet një koalicion më i gjerë, me LDK-në e me AKR-në.

“Zëri” po ashtu ka provuar të kontaktojë edhe me disa nga të pranishmit në këtë takim, mirëpo të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme