Serbët e Kosovës: Vuçiqi na bën Asociacionin

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 08:40 | Nga

“Zot ndihmo që Vuçiq të bëhet president”. Sikur kjo lutje të cilin e bëri një murgeshë serbe para se ta hidhte votën e saj ka pasur edhe shumë të tjera në shkollën “Krajl Milutini” në Graçanicë.

Mbështetja ndaj kryeministri serb ishte e hapur dhe pothuajse publikisht e deklaruar në mesin e serbëve të kësaj komune. E në shtatë sallat e kësaj shkolle qytetarët serbë të Prishtinës, Graçanicës, Novobërdës, Hajvalisë, Bërnicës së Poshtme dhe të Epërme, Badocit dhe fshatrave tjera të rajonit të Prishtinës kanë nisur votimin qysh në orën 07:00 të mëngjesit të së dielës, kur edhe u hap ky vendvotim.

Shpresat në mesin e tyre për kushte më të mira jetese ishin të larta.

“Presim që pas këtyre zgjedhjeve institucionet e Serbisë të interesohen edhe më shumë për ne që jetojmë në Kosovë”, ka thënë 35-vjeçarja Mira nga Graçanica.

E publikisht mbështetjen e tij për kryeministrin serb, i cili aspiroi të bëhet president, nuk e fshehu as Milani, i cili pret që së shpejti të themelohet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Aleksandër Vuçiq duhet dhe do të jetë presidenti i ri i Serbisë. Si kryeministër ai ka bërë shumë për ne serbët që jetojmë në Kosovë. Tani do të bëhet edhe Asociacioni i Komunave përmes të cilit ne do të arrijmë që t’i konkrezitojmë nevojat tona në një nivel tjetër. Ai nuk ka kundërkandidat”, ka thënë ai.

Ndërkohë edhe pse po mbaheshin zgjedhjet serbe, brenda shkollës po respektohej marrëveshja që ishte arritur mes OSBE-së dhe zyrtarëve në Prishtinë. Asnjë flamur apo simbol serb nuk shihej në klasat në të cilat votohej.

E në Graçanicë pati edhe të atillë që nuk votuan fare. 50-vjeçari Radovani, i cili po qëndronte ulur në stolin e oborrit të shkollës ku po votohej, kishte vetëm ankesa. Madje, ai u thoshte edhe bashkëqytetarëve të tij që të mos votojnë.

“Pse po votoni? A nuk u ngopët me gënjeshtra? Të gjitha janë gënjeshtra. Asgjë nuk do të përmirësohet për ne”, thoshte ai.

Abdullahu: Serbët po zgjedhin lindjen e jo perëndimin

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu, ka thënë se me organizimin e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës po tregohet se qytetarët serbë po detyrohen ta zgjedhin lindjen e jo perëndimin.

“Edhe me rastin e zgjedhjeve të sotme në Serbi Kosova është ajo që do të ndikojë shumë që Serbia të mbetet më shumë Lindje e të bëhet më pak Perëndim”, ka thënë Abudllahu.

Sipas tij, për aq sa nuk ka pasur përkrahje nga BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja për politikat e saja ndaj Kosovës, Serbia do t’i rifreskojë, forcojë e do t’i begatojë raportet me Rusinë.

“Për aq sa është kështu, qytetarët e Serbisë edhe sot janë të shtrënguar që për të ardhmen e shtetit të tyre të zgjedhin më shumë lindje e më pak perëndim. Çmim i shtrenjtë për qytetarin e thjeshtë të Serbisë për ta paguar agoninë e determinuar nga gënjeshtrat historike”, ka thënë Abdullahu.

Tahiri: Këto zgjedhje zhvleftësuan shtetësinë e Kosovës

Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale në Kosovë, Besnik Tahiri, ka thënë se heshtja e institucioneve kosovare karshi mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë e zhvlerëson shtetësinë e Kosovës. Sipas Tahirit, heshtja është pranim i këtij realiteti të pakuptimtë.

“Votimi i lirë për president të Serbisë në Republikën e Kosovës pa leje dhe pa dakordim e zhvlerëson shumë shtetësinë tonë. Mosreagimi, heshtja dhe në njëfarë forme pranimi i këtij realiteti për mua është i pakuptimtë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se kjo qasje po ashtu e vërteton se serbët e Kosovës janë peng i politikave të verbra dhe mendësisë primitive të politikës së Beogradit. “Me këtë qasje të Beogradit zyrtar rruga drejt normalizimit dhe fqinjësisë së mirë do të jetë e gjatë”, ka përfunduar ai.

Në Preshevë e Bujanoc, vendvotime pa asnjë votues

Numri më i vogël i votuesve në zgjedhjet presidenciale në Serbi është regjistruar në komunat e Preshevës dhe të Bujanocit. Në këto dy komuna ku kanë të drejtë vote rreth 80.000 qytetarë në disa vendvotime nuk është regjistruar as edhe një votues.

Fadil Aliti, koordinator për zgjedhjet në Bujanoc, ka thënë për RTS-në se në bazë të një mostre deri në mesditë dalja e votuesve sillet rreth 5%. Për dallim, në Mitrovicën Veriore pjesëmarrja e votuesve është mbi 36%. Dalja e vogël në Preshevë e Bujanoc ka ardhur pas thirrjeve që i kanë bërë zyrtarët politikë shqiptarë që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.

Brathu: Mision i suksesshëm

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori norvegjez, Jan Braathu, ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ka vizituar një qendër të grumbullimit të votave, në kuadër të procesit të zgjedhjeve presidenciale serbe.

Braathu pas vizitës e ka cilësuar procesin si të rregullt dhe pa probleme.

“Kam ardhur që të shoh sesi janë duke shkuar gjërat dhe nga ajo që pashë gjithçka është në rregull dhe normale. Situata është e qetë, njerëzit po vijnë dhe kjo është mirë. Ne po shohim shumë njerëz që po vijnë dhe po kryejnë obligimin dhe të drejtën e tyre dhe nëse gjërat shkojnë kështu ne do të jemi të lumtur”, tha Braathu. Ai tha se misioni do ta kryejë këtë proces në bazë të marrëveshjeve me institucionet e Prishtinës. “Personeli i OSBE-së është përgjegjës për secilin aspekt të procesit. Kam folur me kolegët brenda dhe më kanë thënë që gjërat kanë shkuar shumë mirë. Deri më tani jemi shumë optimistë për këtë proces”, ka shtuar ai.

Serbët në veri: Vuçiq, president në raundin e parë

Me bindjen se Vuçiq nga sot do të jetë president i Serbisë, serbët e veriut të Kosovës por edhe ata në anë të ndryshme të vendit iu kanë qasur kutive të votimit në 21 qendra me 90 vendvotime në të gjithë Kosovën, të dielën. Në mesin e 11 kandidatëve për president të Serbisë: Sasha Jankoviq, Vuk Jeremiq, Mirosllav Paroviq, Sasha Radulloviq, Luka Maksimoviq, Aleksandër Vuçiq, Boshko Obradoviq, Vojisllav Sheshel, Aleksander Popoviq, Milan Stamatoviq dhe Nenad Çanak, për serbët nuk ka asnjë kandidat tjetër serioz për ta drejtuar Serbinë në 5 vitet e ardhshme, përveç Vuçiqit, për të cilin thonë se është i vetmi që mund të përballet me situata që krijohen dhe të cilat di t’i zgjidhë në mënyrën më të mirë, gjithmonë në interes të popullit serb, posaçërisht të atij në Kosovë.

Nga gjithsej 11 kandidatë për president të ri serb, nga të cilët njëri do ta zëvendësojë presidentin e tanishëm Tomisllav Nikoiq, në mjediset serbe në Kosovë janë vërejtur pothuajse vetëm afishe, posterë dhe fotografi të kryeministrit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ndonëse kishte paralajmëruar tubim elektoral në Leposaviq, në të cilin do të merrte pjesë, nuk kishte ardhur në Kosovë. Të vetmit kandidatë që kanë vizituar Kosovën gjatë fushatës kanë qenë Vuk Jeremiq dhe Aleksandër Popoviq.

“Është nder për të votuar për president të Serbisë në Kosovë e Metohi. Kemi nderin që Serbia përsëri organizon zgjedhje për president në territorin e Kosovës. Presim një të nesërme më të mirë, perspektivë dhe siguri. Presim punë, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për ne. Këtë mund ta bëjë vetëm Vuçiqi, i cili që tani është president i Serbisë”, shpreheshin ata. Por ka pasur edhe votues serbë që nuk kanë qenë të disponuar të flasin, sidomos serbët e Suhadollit, të cilët thanë se e kanë shumë vështirë. “E kemi vështirë ne atje, mos na pyesni asgjë”, thoshin ata. Por Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane Serbe, pret që presidenti i Serbisë të zgjidhet në raundin e dytë. “Nëse do të kishte raund të dytë, atëherë nga të dy kandidatët do të dëgjonim se çfarë vërtet ofrojnë. Nga presidenti i ri pres që t’i forcojë lidhjet institucionale në mes të Beogradit dhe serbëve të Kosovës. Kjo lidhje vetëm sa nuk është shkëputur dhe dërgon deri tek shpërngulja e serbëve nga Kosova. Për t’u ndaluar kjo dhe që kjo hapësirë të mbetet multietnike, disa institucione, para së gjithash arsimi, shëndetësia dhe institucionet fetare duhet të mbesin të shenjta për Beogradin”, ka thënë Trajkoviq.

Ndryshe, nga gjithsej 90 vendvotime në gjithë Kosovës, 30 prej tyre janë në komunat veriore të Kosovës, respektivisht 11 në veri të Mitrovicës, 7 në Zveçan, 7 në Zubin Potok dhe 5 vendvotime në Leposaviq. Numri i serbëve që kanë pasur të drejtë vote në veri është 15.137 qytetarë. Nga ana tjetër, Serbia ka në evidencë 1.7 milion banorë në të ashtuquajturën “Autonomna Pokrajina Kosovo i Metohija” (Krahina Autonome e Kosovës dhe e Metohisë”, por të drejtë vote në gjithë Kosovën kanë pasur 105 mijë qytetarë.

Ndonëse shumëkush ka pritur që të ketë parregullsi, tensione në vendvotime dhe rreth tyre, gjithçka kaluar mirë. Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës kanë raportuar për votim të qetë dhe pa probleme edhe në mjediset tjera në jug. Në Gushtericë të Poshtme të Graçanicës ka votuar edhe kryetari i Graçaicës, Vlladeta Kostiq, ndërsa në një vendvotim në Istog nuk është paraqitur asnjë votues, pasi që duhej udhëtuar edhe nga 30 kilometra deri tek ky vendvotim. Serbët e komunës së Pejës kanë votuar në Gorazhdevc, si dhe ata të komunës së Klinës. Në Gorazhdevc kanë votuar edhe serbët e Hoqës së Madhe. Në këtë vendvotim të drejtë vote kanë pasur 4.213 qytetarë. 4.771 qytetarë me të drejtë vote kanë votuar edhe në Anamoravë, përkatësisht në Kufc të Epërme, ku në dy vendvotime të organizuara kanë votuar qytetarët serbë të Kufirit të Epërm, Shillovës, Makreshit të Epërm, Dragananc, Mozgovë, Strazhë, Koretishtë, Stanishor, Ponesh, Parallovë, Kmetovc. Katër qendra për grumbullimin e fletëvotimeve nga 16 degë mbyllen në ora 20:00, ndërsa fletëvotimet dërgohen dhe numërohen në Rashkë dhe në Vranje. Zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Senad Shaboviq, ka konfirmuar se vendimi për atë se ku do të numërohen fletëvotimet e Kosovës do të merret në orën 19:00.

“OSBE-ja është e autorizuar që ta përcjellë situatën dhe ta marrë vendimin në pajtim me faktorët e sigurisë dhe faktorë të tjerë. Më së voni deri në ora 19:00 do ta marrim një vendim”, ka thënë Shaboviq. (Zeri)

Të ngjashme