Serbët nuk e duan Ligjin për Investime Strategjike

Prishtinë | 13 Tet 2016 | 08:11 | Nga

As Ligji për Investime Strategjike, i cili është miratuar të martën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk do të jetë i zbatueshëm në komunat veriore të Kosovës.

Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Goran Rakiq (Mitrovica e Veriut), Vuçina Jankoviq (Zveçan), Dragan Jabllanoviq (Leposaviq) dhe Stevan Vulloviq (Zubin Potok), kanë organizuar një takim urgjent në veri të Mitrovicës, menjëherë pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike, në të cilën kanë marrë vendim që ligji të mos jetë i zbatueshëm në komunat veriore të Kosovës, shkruan sot gazeta“Zëri”.

“Në momentin kur i gjithë rajoni përpiqet për vlera evropiane, miratimi i këtij ligji me të cilin centralizohen vendimet e ndërmarra dhe me këtë plotësisht përjashtohet principi i decentralizimit tregon për një raport të pasinqertë të nivelit qendror karshi qeverisjeve lokale”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit. Kryetarët e komunave veriore të Kosovës thonë se me këtë qëndrim të Prishtinës vetëm sa thellohet hendeku dhe mosbesim, si dhe krijohet krizë e panevojshme, e cila ka nisur me miratimin e Ligjit për “Trepçën”.

“Komunat tona kurrë nuk do të lejojnë zbatimin e këtij ligji maskaradë, i cili zvogëlon kompetencat e pushtetit lokal e në dëm të qytetarëve”, kanë thënë kryetarët e komunave veriore të Kosovës.

Sipas tyre, me Ligjin për Investime Strategjike i mundësohet Qeverisë së Kosovës të bëjë projekte kapitale pa tenderë publikë dhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal.

Të ngjashme