Serbia emëron Mariqin koordinator të “Zajednicës”

Prishtinë | 15 Mar 2017 | 08:36 | Nga

Qeveria e Serbisë e ka emëruar ish-ministrin për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariqin, ndihmës të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe koordinator të “Zajednicës” për të gjitha komunat e Kosovës, si dhe do të angazhohet në vendosjen e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Isa Mustafës, Lubomir Mariqi, nuk ka pritur shumë kohë dhe është angazhuar nga qeveria e Serbisë me detyra të posaçme në Kosovë. Mariq, një serb i Kroacisë, i cili si fëmijë kishte ikur me familjen e tij nga Knini dhe ishte vendosur në veri të Mitrovicës, do ta ketë detyrën ekskluzivisht lidhur me Bashkësinë e Komunave Serbe, e cila pritet të themelohet shpejt.
Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës kanë bërë të ditur se qeveria e Serbisë në mbledhjen e së martës ka emëruar Mariqin ndihmësdrejtor të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, respektivisht ndihmës të drejtorit të kësaj zyre, Marko Gjuriq, me të cilin Mariq ka pasur raporte të shkëlqyera dhe gjithmonë në interes të shtetit të Serbisë.

Sipas medieve serbe, Lubomir Mariqi do të jetë koordinator i “Zajednicës” për të gjitha komunat e Kosovës, si dhe do të angazhohet në vendosjen e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Lubomir Mariq, i cili më shumë ka qenë ministër i Vuçiqit sesa i Isa Mustafës, dhe i cili gjithmonë është angazhuar për zbatimin e urdhrave të Vuçiqit, është shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në dhjetorin e vitit të kaluar. Siç shkruajnë mediet serbe, Mariqi ka qenë koordinator i ekipit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Mariqi ka insistuar që formimi i “Zajednicës” të bëhet pa shqiptarët, por vetëm nga serbët, ndërkohë që ka pretenduar që edhe Statutin e “Zajednicës” ta hartojnë vetë serbët, gjë që kishte hasur në kundërshtim të institucioneve kosovare, në veçanti të ministres për Dialog, Edita Tahiri.

Shkarkimi i Mariqit kishte ardhur për shkak të refuzimit të tij që të bashkëpunojë me komunat dhe për shkak se nuk koordinohej me to. Ai kishte marrë edhe një iniciativë për shkarkimin e kryetari të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, pasi që i pari i Leposaviqit nuk pajtohej që Mariq dhe njerëzit e tij të përziheshin në punët e qeverisjes komunale të Leposaviqit, por edhe për faktin që Dragan Jabllanoviqi nuk i takon partisë së Aleksandër Vuçiqit, SNS. Jabllanoviq ishte ankuar tek Isa Mustafa për veprimet e ministrit Mariq, i cili në bashkëpunim me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqin, kishin përgatitur planin për shkarkimin e Jabllanoviqit.

Lubomir Mariqi, sipas medieve lokale serbe në Mitrovicë, sërish insiston që “Zajednica” të formohet nga vetë serbët, nëse institucionet kosovare vazhdojnë ta zvarrisin atë. Mariq e ka mbështetjen e fortë të kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, Goran Rakiq (Mitrovicë e Veriut), Vuçina Jankoviq (Zveçan) dhe Stevan Vulloviq (Zubin Potok), ndërkohë që kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanvoqi nuk është deklaruar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme