ShBA tregon se çfarë duhet të kryhet para zgjedhjeve

Prishtinë | 07 Maj 2017 | 10:35 | Nga

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmend një varg detyrimesh të koalicionit qeverisës, që duhet të përmbyllen, si përgjigje ndaj zërave që mund të ketë së shpejti zgjedhje të parakohshme në vend.

Zëdhënësja e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, J. Michelle Schohn, beson se udhëheqësit e Kosovës duhet të përqëndrohen në arritjen e qëllimeve kryesore.

“Siç janë përmirësimi i sundimit të ligjit, lehtësimi i investimeve vendore dhe të huaja, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit, miratimi i Ligjit për Liritë Fetare, dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut, duke përfshirë këtu edhe fillimin e procesit për Asociacionin e Komunave Serbe,” është shprehur ajo për arbresh.info.

Sipas saj, këto çështje “duhet të adresohen nga ky Kuvend dhe nga kjo Qeveri pa vonesë shtesë.”

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka paraparë të procedojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim Marrëveshjen që përcakton vijën kufitare me Malin e Zi.

Derisa ekzistojnë kundërshtime edhe nga deputetë të koalicionit, ata të opozitës kanë paralajmëruar veprime të ndryshme për ta parandaluar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë më gjashtë tetor është proceduar në Kuvendin e Kosovës, dhe ende nuk është përcjellur për votim në seancë plenare.

Po ashtu, në ekzekutiv ende nuk kanë filluar me hartimin e statutit si procedurë fillestare për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.(arbresh.info)

Të ngjashme