Shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, në dorën e PDK-së

Prishtinë | 15 Mar 2018 | 10:08 | Nga

Dështimi me radhë i seancave plenare dhe mbledhjeve të Komisioneve parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit ka bërë që institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës të bëhet jo funksional.

E si rrjedhojë dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj.

Në seancën e së martës, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi shpërbërjen e Kuvendit pasi që siç potencoi ai “shumica parlamentare nuk po i ka votat për të proceduar asnjë ligj”.

“Ne duhet të procedojmë qysh sot me shpërbërje të Kuvendit sepse nuk ka kuptim të shkohet më tutje”, ka thënë Hoti.

Kurse në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media theksoi se Qeveria Haradinaj duhet të bjerë edhe formalisht pasi që sipas tyre kjo qeveri ka rënë edhe moralisht, edhe me numra.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen!”, ka theksuar VV-ja.

Lidhur me mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Telegrafin se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme sa herë që partitë politike nuk arrijnë të gjejnë konsensus, është praktikë e keqe që tashmë është instaluar në vendin tonë.

“Partitë politike duhet të maturohen, të marrin më me përgjegjësi besimin që ju kanë dhënë qytetarët për t’i përfaqësuar në institucione shtetërore, dhe më e rëndësishmja të mësohen të dialogojnë në mes vete dhe të bëjnë kompromise. Jo gjithçka duhet të shihet vetëm nga prizmi i përfitimit politik”, ka thënë Krasniqi.

Ai më tej ka theksuar se kriza e brendshme në VV nuk i konvenon këtij subjekti politik të shkoj në zgjedhje të parakohshme, kurse në anën tjetër për LDK-në kjo fazë është më e favorshme për zgjedhje.

Ai ka dhënë edhe tri arsyet kryesore që sipas tij janë të favorshme për LDK-në që vendi në këtë kohë të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“E para, të mos i epët kohë VV-së për konsolidim prej krizës së brendshëm nëpër të cilën po kalon dhe të shfrytëzoj këtë momentum. E dyta, gjatë kësaj periudhe skandalet e Qeverisë kanë qenë të shumta. LDK po bënë opozitë më të fortë në Kuvend dhe mund të shihet si alternativë politike. Dhe e treta, ambiciet për të udhëhequr me LDK-në kanë më shumë persona dhe grupe të brendshme. Në rast të konflikteve të brendshme, shkuarja në zgjedhje nacionale para atyre partiake do të evitonte të kishte reflektime negative në rezultatet e zgjedhjeve”, u shpreh Krasniqi.

Mirëpo, sipas Albert Krasniqit “stafeta” për shkuarjen në zgjedhje dhe shpërbërje të Kuvendit qëndron sërish në dorën e PDK-së. I pyetur se a do të mund të konsiderohej demarkacioni sërish arsye për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, Krasniqi u shpreh se “zgjidhja problemit të demarkacionit është brenda Kuvendit dhe legjislaturës ekzistuese. Ne do të konsideroheshim si vend i dështuar nëse për një çështje si demarkacioni na kushton me dy legjislatura. Nëse kjo ndodh, atëherë është mirë që klasa politike aktuale të mos marr fare pjesë në zgjedhje dhe të pensionohen nga politika”.

E Valmir Ismaili nga Demokracia Plus mendon se po të mos ekzistonin problemet brenda Vetëvendosjes dhe gjendja shëndetësore e liderit të LDK-së Isa Mustafa, vendi do të shkonte në zgjedhje në fillim të këtij viti.

“Mënyra se si është formuar kjo qeveri dhe performanca e saj e gjertanishme janë indikatorë të mjaftueshëm për të treguar që kjo qeveri nuk është jetëgjatë. Po të mos ishin problemet e brendshme të Vetëvendosjes, si dhe sëmurja e liderit të LDK-së, zgjedhjet e jashtëzakonshme ndoshta do të mbaheshin qysh në pjesën e parë të këtij viti”, tha Ismaili për Telegrafin.

Ismaili ka shtuar se edhe në rast të shkuarjes në zgjedhje, çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të jetë shkaktar i kësaj.

“Kësaj çështje pritet që t’i jepet një epilog gjatë kësaj jave dhe nuk do të ketë arsye që vendi të shkoj në zgjedhje për demarkacion. Më shumë se sa opozita, vendin në zgjedhje mund ta dërgojë brishtësia e koalicionit qeveritar. Në këtë aspekt, në rast se do të konsideronte që është në favor të saj, PDK do të mund të ishte ai subjekt politik që do të provokonte zgjedhje të jashtëzakonshme”, u shpreh Ismaili.

E kur nuk janë bërë ende një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa, mbajtja e zgjedhje të reja sipas Ismailit do të tregonte paqëndrueshmërinë politike të vendit.

“Për shumë arsye Kosovës nuk i konvenon që të mbajë zgjedhje të tilla shumë shpesh. Nëse veç duhet të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme, fillimisht do të duhej të përfundonin disa çështje ‘madhore’ që po e mbajnë peng zhvillimin e Kosovës, por edhe që do të mundësonin krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike”, tha Ismaili.

Sipas tij, Demarkacioni, Asociacioni, shndërrimi i FSK-së në ushtri do të duhej të mbylleshin para mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke shtuar se pas përfundimit të gjithë këtyre proceseve mbajtja e zgjedhjeve do të mund të konsiderohej si proces i natyrshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme