Shpallen me interes të veçantë pronat ku do të ndërtohet Kompleksi Rezidencial Qeveritar

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 09:42 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës ka shpallur me interes të veçantë  pronat e paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit (Rezidencave) Qeveritar”.

Zonat që janë shpallur me interes të veçantë janë zonat kadastrale, Zllatar, Matiqan, Hajvali, Çagllavicë në komunën e Prishtinës dhe Zona Kadastrale në Graçanicë dhe Badovc, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kërkoi nga kabineti që ky shqyrtim të miratohet një ditë tjetër për shkak se sipas tij nuk është mjaftueshëm i informuar për këtë çështje.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli  ka kërkuar që të ruhet ajo zonë duke mos ndërtuar. Ai ka thënë se duhet të bëhet një planifikim hapësinor me një vizion 50 vjeçar.

“Aty të mos ndërtohet, duhet të bëhet një plan hapësinor për atë pjesë. Ta mbrojmë atë zonë që të mos ndërtojmë ndërtime palidhje e më vonë të shohim si në Shipitullë. Le të bëhet një plan hapësinor i cili nuk bëhet për një ditë apo dy ditë, por të keni një vizion 50 vjeçar, e jo për një ditë ose dy”.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ky është ndër projektet më të mëdha dhe është shumë i nevojshëm.

“Ne do të kemi koordinime si Qeveri sepse është një ndër më të mëdhatë projekte sepse krejt institucionet, administrata parashihet me u bart diku tjetër. Sa më përket mua, mendoj se ky është i nevojshëm. Ka pasur debat të madh politik se a është në rregull me bartë administratën diku tjetër”.

Të ngjashme