Si u bënë zëvendësministra të dështuarit për kryetar komune

Prishtinë | 16 Nën 2017 | 12:20 | Nga

Janë plotësisht 60 zëvendësministra të emëruar të paktën deri tani, në 21 ministri në Qeverinë Haradinaj. Ministria që mban ‘rekordin’ për numrin më të madh të zëvendësministrave është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me gjashtë të tillë.

Por disa që tani janë zëvendësministra fillimisht kishin dështuar jo më larg se muaj më parë. Gjashtë kandidatë për kryetar komune kishin dështuar në komunat ku garonin, ata nuk kishin arritur as të siguronin votat që të garojnë për rundin e dytë, shkruan Insajderi.

Xhavit Zariqi, Heset Sahiti, Fatmir Gashi, Faruk Nura, Besnik Hoti, dhe Isa Xhemajlaj janë kandidatët që dështuan të bëhen kryetar komune ndërsa më pas u emëruan zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj.

Xhavit Zariqi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte provuar të bëhet kryetar i Ferizajt por kishte dështuar. Ai përfundoi në pozitën e katërt si kandidati më i votuar.

Zariqi nuk arriti të fitojë më shumë se 2 mijë e 289 vota apo 4.49 për qind të votave. Ndërsa më pas u emërua zëvendësministër në Ministrin e Zhvillimit Ekonomik.

Heset Sahiti, nga Nisma për Kosovën, kishte kandidat për kryetar të Lipjanit por dështoi. Ai përfundoi si kandidati i fundit. Ai nuk fitoi më shumë se 1 mijë e 23 vota. E më pas Sahiti u emërua zëvendësministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Post tjetër të rëndësishëm mori edhe Fatmir Gashi në Qeverinë Haradinaj. Gashi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Financave. Ky i fundit dështoi të bëhet kryetar i Pejës. Ai u mund qysh në rundin e parë, pasi mori 13 mijë e 980 vota apo 31.90 për qind të votave.

Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën provoi për të dytën herë me radhazi të bëhet kryetar i Drenasit. edhe këtë herë ai u mund nga Ramiz Lladrovci, kësaj radhe qysh në rundin e parë. Por pas humbjes në Drenas, Xhemajlaj u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Xhemajlaj nuk arriti të fitoi më shumë se 5 mijë e 800 vota apo 24.33 për qind në Zgjedhjet Lokale.

Faruk Nura, u kandidua për kryetar të Vitisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai nuk fitoi më shumë se 1 mijë e 72 vota, duke dështuar të bëhet kryetar i kësaj komune. Megjithatë edhe Nura u bë zëvendësministër. Vend për të pati në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Një tjetër kandidat për kryetar komune nuk kishte përmbushur synimin e tij gjatë Zgjedhjeve Lokale. Besnik Hoti kandidoi për kryetar të Rahovecit. Ai aty u votua më së paku nga të gjithë kandidatët. Hoti fitoi vetëm 295 vota.

Megjithatë numri i vogël i votave për një kandidat për kryetar komune nuk ishte pengesë që edhe Hoti të emërohet zëvendësministër. Ai u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Të ngjashme