Simiq: Rrënimi i murit nxit tensione

Prishtinë | 04 Jan 2017 | 08:22 | Nga

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, thotë se votimi i rezolutës në Kuvendin e Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës vetëm se do t’i thellojë tensionet mes komunitetit shqiptar dhe serb në vend.

“Është shumë e dëmshme që institucioni ligjvënës siç është Kuvendi i Kosovës, merret me tema të karakterit lokal dhe miraton rezoluta të cilat nuk kanë ndikim ligjor. Tema të tilla në Kuvendin e Kosovës pa nevojë nxisin tensione dhe rrënojnë edhe ashtu marrëdhëniet e ndjeshme mes bashkësive”, ka deklaruar Simiq.

Sipas tij, zgjidhja për murin mund të vijë vetëm atëherë nëse të dyja palët ulen në një tavolinë.

Ai ka shtuar se Kuvendi duhet ta kuptojë që nevojitet krijimi i Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se janë të gatshëm t’i dëgjojnë brengat e palës serbe.

“Simiq e di mirë se kryeministri ka qenë gjithherë i hapur t’i dëgjojë brengat e tyre. Derën e kanë të hapur, kurdo që vendosin të kthehen në institucionet për të cilat kanë garuar”, ka thënë Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa. (Zeri)

Të ngjashme