“Srpska” mund të zëvendësohet

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 08:30 | Nga

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se nëse Lista Serbe vazhdon bojkotimin e punës së institucioneve të Kosovës përfaqësuesit e këtij subjekti politik mund të zëvendësohen, pasi, sipas pushtetarëve, nuk ekziston institucioni i ngrirjes së postit siç kanë bërë ministrat serbë.

Megjithatë, ekspertët kushtetues thonë se zëvendësimi i përfaqësuesve serbë në Qeveri është i vështirë pasi nuk ka ndonjë subjekt tjetër serb në Kuvendin e Kosovës që të mundë të ftohej për t’u bërë pjesë e koalicionit.

Ata gjithashtu theksojnë faktin se koalicioni qeverisës mund të vazhdojë punën edhe nëse vazhdon bojkoti i serbëve, megjithëse thonë se nuk do të mundë të merren disa vendime të rëndësishme.

Këshilltari ligjor i kryeministrit të vendit, Besnik Berisha, ka thënë për “Zërin” se çështja e bojkotit të Listës Serbe është më shumë politike sesa juridike.

Ndërsa vendimin për bojkot e ka gjykuar si një vendim të ngutshëm dhe të panevojshëm pasi, sipas tij, largimi i përkohshëm i serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës rezulton të jetë edhe në dëm të interesave të popullatës që ata përfaqësojnë.

Berisha ka thënë se në këndvështrimin juridik, instituti i ngrirjes së pozitës në organet ekzekutive apo legjislative me arsyetimin për papajtueshmëri me vendimet e marra nga shumica nuk ekziston. Ai më tej ka thënë se mund të bëhet zëvendësimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme