Stavileci i dorëzoi detyrën ministrit të ri të MZHE-së, Valdrin Lluka

Prishtinë | 11 Sht 2017 | 17:08 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci i ka dorëzuar sot detyrën ministrin të ri të MZHE-së, Valdrin Lluka, të cilit i ka uruar suksese në detyrën e re dhe e ka njoftuar atë me punën dhe sfidat.

“Në dhjetor të 2014 pranova detyrën e re në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ministri kjo që mbulon tre sektorë shumë strategjik në ekonominë e vendit tonë. Energjia, Minierat, TIK dhe Monitorimin e ndërmarrjeve publike, kjo ishte sfida e radhës. Me ndonjë përjashtim secili nga këta sektorë ishte në një udhëkryq me probleme të akumuluara ku kërkohej një qasje strategjike për t’i orientuar interesat ekonomike të vendit brenda këtyre sektorëve”, tha Stavileci

Sipas tij, në linjë me orientimin strategjik gjatë mandatit të kaluar është aprovuar Strategjia e Energjisë 2017-2026, dokument ky i përkrahur dhe i zotuar për mbështetjeje edhe nga partneret më të rëndësishëm në këtë sektor.

“Aprovuam pakon e ligjeve të sektorit të energjisë, që i hapën rrugën reformave drejt liberalizimit të tregut dhe rritjen e cilësisë s shërbimeve në këtë sektor. Përgatitëm bazën ligjore për themelimin e Fondit për Efiçiencën e Energjisë dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë kemi investuar rreth 50 milionë euro, dhjetëra objekte publike qendrore dhe lokale janë përfitues të drejtpërdrejt nga këto investime. Nënshkruam linjën kreditore me Bankën Botërore me vlerë prej rreth 31 milionë euro. Gjithashtu dakorduam me KE mbi 10 milionë euro donacion, i cili do te fillojë implementimin nga viti 2018. Projekti i TC Kosova e Re ka arritur në fazën finale të nënshkrimit të kontratave komerciale, ky ishte projekti më sfidues, por konsideroj edhe më i rëndësishëm për këtë sektor”, tha Stavileci.

Ministri në largim tha se Ligji për Trepçën, ishte një nga sfidat e radhës, e cila u kalua me shumë sukses, duke krijuar në konsensus politik dhe shoqëror se kjo ishte rruga për zhbllokimin e kësaj ndërmarrje dhe hapjen e mundësive për investim.

“Sektori i TIK-ut është e ardhmja dhe unë personalisht kam besuar shumë që në ditën e parë kur jam njoftuar me potencialin që kam hasur aty. Prandaj, që në ditët e para të punës e kam promovuar si një prej mundësive të jashtëzakonshme për rritjen e eksportit të shërbimeve”, tha Stavileci.

Në fund ai tha të jetë i sinqertë me të gjithë, duke i thënë ministrit të ri se kanë mbetur sfida të shumta pa u përfunduar që do të ndikonin në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve tonë. “Po të njëjtën kohë jam shumë krenar për punët e kryera dhe reformat e realizuara, të cilat sado pak të kenë shërbyer për përmirësimin ekonomisë se vendit”.

Nga ana e tij Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, falënderoi ministrin Blerand Stavileci për angazhimin e deritashëm.

Pas ceremonisë së pranim dorëzimit të detyrës së ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Lluka tha se këtë nderë, privilegj dhe përgjegjësi do ta shndërroj në një angazhim të pa kursyer, me të gjitha kapacitetet e mundshme, për të mirë të vendit.

“Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shumë sfida na presin përpara por së bashku me stafin e Ministrisë besoj që do t’ia arrijmë t’i kalojmë”, tha ministri Lluka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme