Strategjia e mosperspektivës

Prishtinë | 11 Shk 2018 | 08:12 | Nga

Një strategji ka përdorur Bashkimi Evropian (BE) kur e ka përmendur Kosovën në Strategjinë e re të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, dokument ky i miratuar këtë javë nga Kolegji i Komisionerëve në Strasburg. Ia ka përmendur perspektivën evropiane, por jo edhe hapat që duhet marrë në procesin e integrimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këtë dokument Kosova trajtohet ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, dhe kjo nuk lidhet vetëm me asteriskun ngjitur emrit të këtij shteti dhe fusnotën shpjeguese me gjuhë neutrale në raport me statusin. Emri i saj në aspektin konkret përmendet tek kushtet për avancimin e Serbisë drejt integrimit në BE dhe tek nevoja për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara, emërtim zyrtar ky për Gjykatën Speciale, të cilën së fundmi liderët shtetërorë deshën ta shembnin, por hoqën dorë pas presionit ndërkombëtar. Për vendet e tjera theksohen fazat në rrugën drejt integrimit, si “anëtarësimi”, “nisja e negociatave të anëtarësimit” dhe “dhënia e statusit të kandidatit”. Për Kosovën është përzgjedhur termi “avancim në rrugën evropiane”, por nën kushtin “nëse rrethanat e lejojnë”.

Në strategji BE-ja ka vënë vendet e rajonit në katër vagonë: në të parin Malin e Zi dhe Serbinë, për të cilat është shprehur pritja se mund të anëtarësohen plotësisht deri në vitin 2015; në të dytin Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilave nuk u janë dhënë afate konkrete se kur mund të integrohen, por u është lënë mundësia që sivjet ta marrin statusin e vendit kandidat; në të tretin Bosnjë-Hercegovinën, pa afate orientuese për kohën, por me mundësinë që të bëhet vend kandidat apo anëtar; e në të katërtin dhe të fundit është lënë Kosova, së cilës perspektiva evropiane i vihet në pikëpyetje jo veç nga mospuna e Prishtinës zyrtare, por edhe nga pengesat “objektive”, e që lidhen me mosnjohjen nga pesë vende anëtare të BE-së, një nga të cilat, Spanja, insistoi që fare të mos përfshihej as në Strategji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme