Supremja jep detaje për përmbylljen e rastit Kleçka

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 09:43 | Nga

Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me përmbylljen e rastit Kleçka.

“Më 12 maj 2017, një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendas nga Gjykata Supreme e Kosovës e refuzoi Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit më 12 gusht 2016 kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në rastin e ashtuquajtur Kleçka. Gjykata Supreme e vlerësoi kërkesën të pabazuar pasi që nuk ishin bërë shkelje të drejtës materiale as të ligjit të procedurës penale që do të rezultonin në shuarjen e procedurës dhe rigjykimin e rastit”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se dy pretendimet kryesore të prokurorisë për përgjigjet e vonuara të pandehurve për Gjykatën e Apelit pasi që afati kishte kaluar dhe kërkesa për rigjykim të rastit në bazë të dyshimit serioz për saktësinë e vërtetimit faktik u refuzuan.

“Gjykata Supreme ka vlerësuar se pranimi i të ashtuquajturave përgjigje të vonuara nuk ka ndikuar në asnjë mënyrë në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit. Lidhur me pretendimin e dytë, Gjykata Supreme ka pohuar se pasaktësia hipotetike e vërtetimit faktik në vendimin e kundërshtuar me anë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të rezultojë në shuarjen e një rasti për të cilin është shpallur pafajësia”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme