Tahiri: Fuqizimi i rendit dhe ligjit, qëllimi im kryesor

Prishtinë | 15 Sht 2017 | 08:26 | Nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se prioritet kryesor gjatë mandatit qeverisës do ta ketë fuqizimin e rendit dhe ligjit.

Ai ka premtuar luftë të fuqishme ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se ndër hapat e parë që do t’i ndërmarrë si ministër do të jetë procedimi i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, plotësim-ndryshimi në Kodin Penal, si dhe plotësim-ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale, të cilat, sipas tij, ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministri Tahiri është zotuar se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë drejtësi selektive dhe se, sipas tij, çdo qytetar i Kosovës do t’i gëzojë të drejtat që i garantohen me Kushtetutë.

“Ndër hapat e parë që do t’i ndërmarrë si ministër i Drejtësisë do të jetë procedimi i tri projektligjeve të rëndësishme të cilat ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Projektligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, plotësim-ndryshimi në Kodin Penal, si dhe plotësim-ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale, pra janë tri ligjet që ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur ministri Tahiri.

Ai ka thënë se qëllimi dhe vizioni i kësaj qeverie është sundimi i rendit dhe ligjit. “Jam shumë i bindur që do ta kem mbështetjen edhe të partisë time, por edhe të partnerëve të tjerë të koalicionit. Nuk do të ndalemi së luftuari çdo dukuri negative, përfshirë këtu edhe krimin dhe korrupsionin”, ka theksuar Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme