Tahiri: Serbia është e kushtëzuar, më 3 dhjetor duhet t’i dërgojë letër ITU-së

Prishtinë | 14 Nën 2016 | 14:32 | Nga

“Kosova tashmë do të ketë kodin telefonik shtetëror të saj që është +383 i cili do të alokohet nga ITU”, është thënë mbrëmë në njoftimin e Ministrisë për Dialog në Kosovë.

Ndërsa ministrja Edita Tahiri në një prononcim për Indeksonline ka bërë të ditur se marrëveshja e fundit e arritur përcakton të gjitha obligimet e të dyja shteteve në raport me zbatimin e kodit telefonik, i cili do t’i jepet Kosovës nga ana e ITU-së, për të cilën Austria ka aplikuar në janar të këtij viti.

“Se a do të zbatohet kësaj radhe ky kod, kjo gjë lidhet me kushtet që Bashkimi Evropian i ka vënë të dyja shteteve. Në mënyrë që të dyja shtetet të bëjnë përparime të reja në drejtim të Bashkimit Evropian duhet të zbatojnë marrëveshjen në datat e përcaktuara që i bije Serbia me 3 dhjetor duhet të dërgojë letër ITU-së me të cilën thotë se pajtohet që Kosova të merr kodin telefonik dhe kjo letër është e rëndësishme sepse kur votohet në ITU, votohet me shumicën e vendeve anëtarë të ITU-së atëherë kjo praktikisht mundëson heqjen e pengesave”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu ministrja Tahiri ka përkujtuar konkurrimin e Kosovës në UNESCO.

“Ju e dini se ne kemi konkurruar në UNECO por pengesat që i bëri Serbia në UNESCO nuk arritëm të anëtarësohemi ndërsa me këtë letër Serbia pra zotohet që nuk bënë pengesa për kodin, me fjalë të tjera nuk lobon me vendet e tjera për t’u thënë mos votoni”, ka shtuar Tahiri.

Sipas saj në bazë të marrëveshjes me datën 15 dhjetor të këtij vitit ITU publikon në buletin vendimin, pra buletini i tyre zyrtarë vendimin se Kosova ka marrë kodin telefonik +383.

“Pastaj që nga momentin që ne marrim zyrtarisht me 15 dhjetor këtë kod, fillon procesi i zbatimit teknik. Procesi i zbatimit teknik përderisa e përdorim është një proces që në terminologjinë teknike quhet proces i migrimit që nënkupton që përgatitet sistemi për kodin e ri telefonik të Kosovës pasi hiqen tri kodet e tjera telefonike (+381,377,386) prandaj për t’u hequr këto nga përdorimi dhe që të gjitha të kalojnë tek 383 duhet të realizohet faza e migrimit teknologjik dhe për këtë çështje se sa zgjatë e që nuk është e shkurtër është më mirë të flisni me autoritetin rregullator, përkatësisht kryetarin Kreshnik Gashin, të cilët u tregojnë se sa zgjatë periudha e migrimit dhe çfarë nënkupton”, ka vazhduar Tahiri.

Gjithashtu Tahiri ka bërë të ditur se të gjitha këto sim-kartela që sot përdoren, duhet të kalojnë nën kodin +383, por janë edhe ndryshimet e tjera që ndodhin në ndërrimin e centraleve e të tjera.

“Kosova tani duhet të ketë një central dhe të gjitha kartelat që janë në Kosovë, (Vala, Ipko) por edhe kompania e përkohshme e cila do të veprojë kalojnë dhe marrin kodin +383”, ka theksuar Tahiri.

Kurse ministrja Tahiri ka bërë të ditur se sipas autoritetin rregullator apo përvojave praktikës botërore marrja e kodit dhe realizimi apo periudha e migrimit zgjatë 1 vit e gjysmë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme