Tahiri: Themelet evropiane ndërtohen në nivelin lokal

Prishtinë | 03 Mar 2018 | 12:37 | Nga

Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri ka thënë se duhet hartohen master plane zhvillimore për të mundësuar zhvillimin e komunave në Kosovë. Këtë konstatim, Tahiri e ka bërë pas një vizite që ka bërë në Mitrovicë dhe Vushtrri ku ka takuar udhëheqësit komunalë.

“Andaj, hapja e shtigjeve të reja për investime në master plane zhvillimore do të shmangte copëzimin e politikave dhe buxhetit, njëherësh do të kishte fokus zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të projektuara. Këtu duhet pasur parasysh edhe zhvillimin policentrik, estetikën urbane, e njëherësh edhe inovacionin në zhvillimin e politikave lokale”, ka thënë Tahiri.

Besnik Tahiri ka treguar se ka takuar Kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nënkryetari i komunës, z. Besim Muzaqi dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Nasuf Aliu si dhe në Mitrovicë nga nënkryetari Faruk Mujka.

“Në të dy takimet e shtrova nevojën e angazhimit të komunave në hartimin e një platforme zhvillimore që do të vendos synime strategjike të nivelit lokal në dekadën e dytë që po nisë (2018-2028) pas decentralizimit. Kjo jo vetëm si mekanizëm që do të ndihmonte komunat, por para së gjithash si një ri-projektim dhe synim i vendit në forcimin e themeleve evropiane në nivelin lokal. Këtu duhet të ketë edhe një qartësi të plotë në mes të nivelit politik, qoftë në dhënien e vizionit dhe atij të shërbyesve civilë apo në atë struktural”

“Në funksion të kësaj dalin disa çështje kyçe: e para, me atë se duhet kthyer në masë të madhe fokusi i institucioneve qendrore zhvillimi i këtij niveli, qoftë nëpërmes politikave, legjislacionit dhe financimit, e njëkohësisht niveli lokal do të duhej të projektonte standarde të reja, qoftë të demokratizimit, zhvillimit të qëndrueshëm, kohezionit social dhe ofrimit të shërbimeve. Këtu nuk duhet harruar edhe një qasje të re planifikuese duke pasur parasysh se tashmë komunat vetëm se kanë arritur një stad të zhvillimit të infrastrukturës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme